Shqipja pa gegnishten, si shqipja pa toskërishten, shkrimtari Primo Shllaku: Gjuha s’rritet me krasitje, por unifikim/ Studiuesja: Gegnishtja, nuk zhduket asnjëherë

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Zogjtë ikin në formë largimi, Kaltërsi tepër e zjarrtë, Këta ujna e harruen formën tonë, Aktorë, lumenj, dashuni… gjithçka buron”.

Kështu tingëllojnë vargjet e “Qiell mbasditor” një prej poezive shkëputur prej vëllimit poetik “Lule nate” të shkrimtarit bashkëkohës Primo Shllaku. Proza dhe poezitë e tij janë skica të vërteta shpirtërore nga të cilat, ai e sheh veten të pandarë po të paktë janë shkrimtarët që si ai shkruajnë në gegnisht Ajo që e dallon më së shumti nga shkrimtarë e tjerë bashkëkohës është gjuha e veçantë e gegnishtes që shtrihet përgjatë gjithë poetikës së tij letrare. Për poetin Primo Shllaku gegnishtja është një degë e rëndësishme e letërsisë shqipe, po aq sa e gjuhës pasi këtë e dëshmon fuqishëm tradita e vjetër krijimtarisë së penës nga Fishta, e duke ardhur tek Migjeni e Koliqi që kanë krijuar një monument në historinë e letërsisë .

“Letërsia sot është në ekspancion, po pushton territore të reja. Po ai ekuilibër aq i detyrueshëm dhe rehabilim i gegnishtes letrare ka kohë që ka filluar me ndodh, ka marrë substancë… Por standardi sot ka preference pasi ka bekimin e zyrtares por gegnishtja këto forca fërkimi që i dalin përpara i kthen në kualitet estetik . Gegnishtja ka punuar me damar të trashë gjatë gjithë kohës me Mjedën, Fishtën, Migjenin. Mos harroni që nuk është e vërtetë që gegnishtja u ndërpre kur ajo kishte hy në dekadencë, pasi gegenishtja nuk ishte vetëm një fenomen shqiptar por ishte dhe diasporak”, tha Shllaku. Pasuria më e madhe e kulturës së një populli për të është gjuha dhe pa gegnishten, shqipja është e paplotë në letërsi. Kongresi i Drejtshkrimit i ‘72 ishte një gabim që nuk mundi të korrigjonte vetëveten e që në histori mbylli arkivin e një pjese të mirë të teksteve të shkruara në gegnisht. “Kongresi i Drejtshkrimit i 1972  ishte një direktivë. Gjuha ka një transhendencë të tillë që nuk na pyet. Sepse shkrimtaria është diçka që buron… Unë kam postulatin tim: “Gjuha shqipe pa gegnishten asht si gjuha shipe pa toskënishten”. Duhet të prisnim pak sa gjuha shqipe t’i bënte vetë llogaritë e saj. Unë nuk mendoj dhe besoj sa të jem gjallë që gjuha shqipe mund të shpëtohet nëpërmjet krasitjes, por përmes unifikimit të sajhistorik të ngadalshëm letrar, gjeopolitik dhe pa një infrastrukturë të gjuhës ne mbesim vetëm ishuj gjuhësorë të shënuar vetëm në periferi”, shtoi Shllaku.

Se ku qëndron letërsia shqipe dhe çfarë vendi zë sot gegërishtja në krijimtarinë e autorëve të rinj, Liridon Mulaj i përgjigjet kështu. “Të flasim për dialektet, duhet të themi mbizotëron standardi, si gjuhë me të cilën shkruhet. Unë vetëm jam geg dhe poezitë i shkruaj në gegnisht, por në të vërtetë unë romanet i shkruaj në standard kam dy romane të shkruara në standard. Pse ndodh kjo? Mendoj se arsyeja kryesore është universaliteti i prozës, pra, nëse ti shkruan në gegnisht një në jug e ka tepër të vështirë ta kuptojë dhe ta perceptoj. Letërsia thotë Borgesi, nuk ka qëllim ta lodhë lexuesin. Sot shkruhet në gegnisht masivisht, po nuk botohet në gegnisht. Duhet të pranojmë kemi poetë vërtetë të mirë në gegnisht. Dua të përmend një nga poetet e mrekullueshme në gegnisht si Erenestina Halili”, theksoi Mulaj. Studiuesja e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, Dhurata Shehri  tregon se një pjesë e teksteve në gegnisht para viteve ’90 u dënuan me harresë, duke u mbyllur në sirtar siç është rasti i veprës “Buzë të ngrira në gaz ”, botuar 1994 e shkrimtarit Zef Zorba, i cili në vitet e dikaturës ishte i pabotueshëm.

“Letërsia shqipe gjatë një gjysëm shekulli, pra për më shumë se 50 vjet është ndaluar të shkruhet në dialekt. Për fat të keq pjesa e letërsisë shqipë të shkruar në gegnisht për arsye, jo vetëm të të shkrimit në gegnisht, por edhe arsye thellësisisht politike dhe ideologjike është ndaluar për 50 vite. Gjendemi në një situatë kur shkrimtarët sot shkruajnë në dialekt, po ju duhet të të rimarrin atë zinxhir të këputur që nga mesi i viteve ‘50 realizmit socialist, të diktaturës komuniste ku u ndalua gegërishtja”, tha Shehri. Për Shehrin në përballjen me traditën e re të të shkruarit, gegnishtja është ajo që gjithmonë i ka mbijetuar kohëra historike dhe prurjeve mozaike në letërsi.

”Rasti më tipik i gegnishtes letrare, të mbijetuar mirë që lidh atë zinxhirin e këputur dikur është ai i At Zef Plumit me të gjitha veprat e tij, po kryesisht me veprën “Rrno për me Tregue”, që i ka shkruar në gegnishten letare. Është një autor edhe me një pregatitje letrare që është rritur dhe e ka mësuar gegnishten në shkollë, është frymëzuar me letërsinë gege. Kemi dhe autor të rinj, që shkruajnë sot me ngjyresa të gegnishtes, ndonjeherë edhe me trajta gramatikore është Ledia Dushi. Por gegnishtja mbetet gjuha e pasionit, e shtëpisë por edhe gjuha e një letërsie të madhe që është shkruar për 500 vjet në shqip”, shtoi Shehri. Prej librit të parë në gjuhën shqipe “Mesharit” të Gjon Buzukut të vitit 1555, ndër emrat korifenj të letërsisë së shkruar shqipe në gegnisht, janë edhe Gjergj Fishta, Vaso Pasha, Kostandin Kristoforidhi , Ndre Mjedje , Migjeni, Martin Camaj (1925-1992) etj krijimtaria e të cilëve mbetet një monument në kulturën e letërsisë tonë.

Zjarr Tv Ad