Në më pak se 12 orë, që nga nisja e një fushate sensibilizuese, për të mbledhur para në ndihmë të familjes së Arjan Salës, që u nda nga jeta duke shpëtuar 25 persona të tjerë, shqiptarët kanë dhuruar një shumë të konsiderueshme parash.
Me iniciativën e “Fundjavë Ndryshe”, dhe me lancimin e nismës nga gazetari Blendi Fevziu mbrëmjen e djeshme, derimëtani nëpërmjet “gofundme”, janë grumbullar rreth 55 mijë dollarë, shumë e cila vjen duke u rritur me kalimin e orëve.
Shumë prej personave që kanë dhuruar shuma të ndryshme parash, kanë preferuar që të jenë anonimë, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, qeveria dha një shumë prej 1 milionë lekësh të rinj, për familjen Sala.
Familjarët e 32-vjeçarit, janë shprehur se kanë marrë ndihma nga shqiptarë që jetojnë në të gjithë vendin dhe jashtë saj, ndërkohë që kjo duket të jetë mënyra më e mirë, që djali i Arjanit të ketë një të ardhme të sigurt. Arjan Sala, ishte personi i vetëm që punonte në familjen e tij, ku ikja e tij nga kjo botë shoqërohet dhe me pasiguri ekonomike, që duket se do të lehtësohet paksa nga ndihma që kanë dhënë shqiptarët.
Gjatë ditës së djeshme, Arjan Salës i është akorduar nga qeveria dhe titulli “Dëshmor i Atdheut”, për aktin e tij heroik, në ndihmë të personave të tjerë që mund të ishin bllokuar në ambientet e magazines.