Shqiptarët, më të dëbuarit nga Gjermania

0
29

Gjermania po dëbon gjithnjë e më shumë shtetas të huaj, veçanërisht shqiptarë.

Ministria e Brendshme gjermane informoi se në vitin 2018, 758 shqiptarë u dëbuan nga vendi, duke u renditur të parët në statistikat kombëtare nga një total prej 7,408 rastesh.

Dy popullsitë e tjera më të përndjekura ishin ukrainasit me 755 raste dhe serbët me 509 raste.

Skadimi i lejeqëndrimit, qëndrimi në ilegalitet ose refuzimi i kërkesave për azil mendohet të kenë qenë motivet kryesore të dëbimeve.

Ndërkohë në regjistrin qendror të Gjermanisë, në muajin qershor u shënua një total prej 304,095 mijë shtetasish të huaj me urdhër dëbimi.

Shumica prej tyre janë lëshuar ndaj qytetarëve me origjinë europianolindore, ndërsa nga shtetet, Turqia mban vendin e parë me gati 53 mijë qytetarë që presin të deportohen.

Autoritetet gjermane rekomandojnë largimin vullnetar shpeshherë si hapin e duhur përpara dëbimit, dhe tregohen të gatishme të paguajnë shpenzimet e udhëtimit apo të paguajnë një vlerë të caktuar monetare në rast se planifikohet ikja nga vendi.

Dëbimi, ndërkaq, shoqërohet me një ndalesë për rihyrje për disa vite, që mund të hiqet kundrejt pagesës.

Statistikat e fundit publikohen pas kërkesës për informacion të Partisë së Majtë gjermane, e cila e kritikon si të padrejtë praktikën e dëbimit të të huajve.