Shqiptarët në vigjilje të Krishtlindjes/ Dom Gjergj Meta prek plagën e shpopullimit: Liria nuk është vetëm për të ikur, por edhe për të qëndruar

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Na ndajnë vetëm pak orë nga vigjilja e Krishtlindjes, festa më e bukur e të krishterëve në mbarë botën.

Dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, thotë se ky moment është një ndërthurje e përjetësisë me kohën.

Është një festë e dritës dhe jetës, ne kremtojmë hyrjen e Zotit në historinë e njeriut në kohë, është një ndërthyrje e përjetësisë dhe kohës që bëhet e dukshme në lindjen e një foshnjeje. Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe kjo dritë është Krishti që lind”.

Por si na pret ne kjo vigjilje, çfarë ka ndodhur me shqiptarët gjatë këtij viti?

Secili bën llogaritë e veta si e gjen kjo festë, sepse secili ka historinë e tij. Nga pikëpamja e shoqërisë shqiptare, edhe ne si një pjesë e mirë e globit kemi përjetuar pjesën e fundit të pandemisë që për shumë gjëra paralizoi jetën shoqërore. Nga ana tjetër jetojmë edhe ato specifikat tona të veçanta të një shoqërie, e cila po kërkon të demokratizohet dhe të dalë nga një periudhë tranzicioni për të shkuar drejt një periudhe më të stabilizuar, por që duket se kemi akoma rrugë të gjatë. Situata, qoftë ajo ekonomiko-shoqërore apo politike, ka ende rrugë për të bërë për të shkuar drejt një stabiliteti”.

Shqipëria ndërkohë është prekur nga një dramë e madhe, ajo e shpopullimit. Dom Gjergj Meta thotë se nuk kuptohet mirë se cili është motivi që shqiptarët po ikin kaq masivisht.

“Është një nga problemet që ne e kemi vënë në dukje edhe si kishë katolike disa herë. Personalisht ka vite që flas për këtë fenomen.

Nganjëherë gati deri në mërzitje për veshët e dikujt që nuk do ta pranojë faktin ose do ta relativizojë atë, ose do ta quajë normal.

Edhe si kishë në muajin nëntor bëmë një deklaratë ku theksuam plagën e rëndë të shpopullimit, ikjen e shumë të rinjve nga Shqipëria, plagë e cila vazhdon dhe nuk po shohim se ka ndërmend të mbyllet.

Vetëm në rast se refuzohemi në dyert e vendeve ku shkojmë, sikurse po ndodh psh me kthimin e emigrantëve nga Anglia. Sigurisht nga njëra anë duhet të theksojmë lirinë e njerëzve për të lëvizur dhe falë Zotit që kemi këtë liri për të lëvizur.

Nga ana tjetër, liria nuk është vetëm ajo për të ikur por është dhe një liri për të qëndruar dhe zhvilluar në vendin ku njerii ka dëshirë dhe pse mos të jetë ky vend, vendi ku kemi lindur dhe jemi rritur, kemi afektet tona, traditat tona, të parë tanë, dhe pse mos ta zhvillojmë këtu jetën tonë, vendin tonë? Plaga e shpopullimit është shumë dimensionale, shumë komplekse.

Emigrimi është një fenomen mbarëbotëror. Njerëzit ikin zakonisht nga lufta, uria si vendet e Afrikës apo Lindjes së Mesme që ikin në masë. Nuk kuptohet mirë se cili është motivi që ikin shqiptarët, përveçse ai i një situate të pastabilizuar ku nuk shihet ndoshta nga shumëkush mundësia për të ndërtuar diçka të qëndrueshme, për të menduar dhe për të ardhmen e brezave të tjerë. Fakti që ikin të rinj apo familje bashkë me fëmijët e tyre për të gjetur një të ardhme diku tjetër, nuk kuptohet mirë pse në Shqipëri fenomeni është kaq i rëndë”.

E trazuar duket situata në mbarë globin. Sipas tij vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën.

“Ne njerëzit gjithmonë presim dikë që të na shpëtojë. Edhe kur nuk është Zoti i krijojmë ato mesitë, lidera deri diku shpirtërore, politik, ekonomik etj, tek të cilët vendosim shpresat tona. I vetmi që nuk zhgënjen në këtë rast është Zoti. Kemi parë se shumë lidera, pavarësisht se mund të kenë çuar përpara kauza dhe shumë të rëndësishme, kanë mbaruar, ka mbaruar fryma e tyre dhe është dashur të krijohet një frymë e re.

Vetëm dashuria mund të ndryshojë botën dhe realitetin por duhet të pranojmë që kjo dashuri është e brishtë. Duke parë në sytë e një foshnje që lind shpëtimtarin e botës është mjaft e rrezikshme për inteligjencën dhe logjikën njerëzore, por për ne të krishterët është rruga. Dashuria që rrjedh nga brishtësia njerëzore është ajo që mund të shpëtojë botën”.

Po kaq e rëndësishme është dhe të mos heqim dorë asnjëherë përballë sprovave.

“Historia njerëzore është si dallgët e detit, ngrihet dhe ulet. Kjo duhet të na bëjë që asnjëherë të mos heqim dorë nga e mira dhe përpjekja për ta bërë botën më të mirë, nuk mund të flemë. Përvoja e tre viteve të fundit na tregoi se mbaruam një luftë që na erdhi nga një virus dhe ramë në në diçka tjetër që na erdhi nga brenda zemrës sepse kush bën luftë ka një zemër të prishur. Kjo e Ukrainës na erdhi afër. Përballë të keqes ne nuk mund të dorëzohemi, ne nuk duhet të dorëzohemi”.

E duke mbetur sërish te Shqipëria jonë, ai thotë se si politika ashtu dhe shoqëria ka nevojë për paqe sociale.

“Që politika shqiptare, që ne këtu në Shqipëri kemi nevojë për një paqe sociale, kemi. Ne nuk kemi luftë këtu, nuk kemi marrë armë për të luftuar me njëri-tjetrin por po përdorim armë të tjera, armët e një gjuhet të papranueshme, armët e një konfliktualiteti të papranueshëm, shpesh herë të panevojshëm. Është arma e tmerrshme e korrupsionit, është arma e tmerrshme e zhvatjes së të mirës publike kudo që të ndodhë, nga kushdo që të ndodhë, është vrasja e demokracisë e cila është shumë e brishtë.

Në momentin kur njerëzit duket sikur janë të lirë por hapësirat ngushtohen për tu shprehur, protestuar, për të thënë atë që ne kemi dëshirë të themi, demokracitë rrezikohen. Nuk di të them cila është diagnoza e demokracisë aktuale, për këtë ndoshta nevojiten ekspertë në Shqipëri. Shohim që nuk po marrim frymë sepse kalojmë nga konflikti në konflikt, nga situata në situatë dhe kjo nuk bën mirë.

Ne njerëzit kemi mundësinë që kur të themi një fjalë, ajo fjalë të ketë peshë dhe asaj fjale ti ndjekin veprat. Në Shqipëri ne po asistojmë në një përdhosje të fjalës në kuptimin e vërtetë të saj. Ti thuaj çfarë të duash, të vërtetat më të mëdha, del dikush aty dhe ti hedh poshtë me një fjalë, një sarkazëm, një fjalë edhe të rëndë dhe ti mbetesh. Bota virtuale e ka inflacionuar fjalën në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Në fund dhe një urim për besimtarët e krishterë.

“Mesazhi im është që ndërsa hedhim shikimin te Zoti, fjala e tij që bëhet foshnje në një grazhd, të hedhim sytë dhe te fjala përreth nesh. Fjala përreth nesh është çdo njeri. Të hedhim sytë dhe te personat që na rrethojnë dhe sidomos kur ata janë të përjashtuar nga jeta sociale, kur janë nën nivelin e jetesës dhe kur trokasin në dyert e zemrave tona dhe shtëpive tona.

Sot varfëritë janë të shumta, nukjanë vetëm, ato ekonomike. Në këto Krishtlindje do të doja të ndihmonim dike që të mos ndihet vetëm, ti jepnim një sens familjar pranisë tonë, të bëheshim familje për dikë dhe kështu të jetonim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Këto Krishtlindje do t’u uroja secilit”.

Zjarr Tv Ad