Një emigrante shqiptare banuese në komunën Corigliano Rossano, në provincën e Kozencës , e martuar dhe nënë e një djali 5 vjeç, për 10 vite rresht ka qënë viktimë e një dhune seksuale sadomazokiste nga një grup shtetasish italianë.
Sot me urdhër të Prokurorisë së Castrovillarit, policia e Kozencës ka ekzekutuar urdhër-arrestet ndaj 5 autorëve të kësaj dhune me akuzën e dhunimit seksual në grup e kërcënim.
Arrestimi i tyre ka ardhur pas denoncimit që shtetasja shqiptare ka rrëfyer tek autoritetet italiane.
Gjithçka ka nisur pas një lidhje dashurie jashtëmartesore që shqiptarja ka pasur me një nga të arrestuarit.
Për 10 vite rresht ajo i është nënshtruar një dhunimi seksual me metoda nga më të ndryshme sadomaze nga i dashuri i saj e miqtë e tij nën kërcënimin se në rast se nuk pranonte do ti rrëfenin bashkëshortit tradhëtinë e saj. Madje ata e kanë kërcënuar se do ti vrisnin dhe djalin.
Shqiptarja shumë herë ka qënë e detyruar t’i paguante dhe shuma parash nën kërcënimin e tyre se do të shpërdanin në internet video të raporteve seksuale me të.
Autoritetet italiane kanë vërtetuar se në vitin 2017 shtetasja shqiptare është kuruar në një spital në Romë për dhunën fizike në trup, duke e justifikuar tek familjarët si një sëmundje që i shkakonte shenja në trup e që mund të kurohej vetëm në Romë.
Rtv Ora është vënë në kontakt me policinë e Kozencës e cila nuk ka zbardhur inicialet e identitetit të shqiptares për motive sigurie, si dhe për faktin se hetimet ende nuk janë mbyllur. Dyshohet se ka dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gjatë arrestimit në zotërim të 5 të arrestuarve janë gjetur 480 gramë marijuanë, një serë për kultivimin e saj, një peshore si dhe instrumente për akte seksuale të veçanta.