Shtatë ngjarjet historike që kanë ndodhur në Krishtlindje

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Charlemagne kurorëzohet Perandor i Shenjtë i Romës

Duke filluar nga fundi i viteve 700, Charlemagne krijoi një mbretëri shumë të madhe përmes fushatave ushtarakëve kundër saksonëve, lombardëve dhe avarëve. Një katolik i devotshëm, ai i konvertoi në mënyrë agresive të nënshtruarit në Krishtërim dhe vuri në zbatim reforma të rrepta fetare. Ditën e Krishtlindjes të vitit 800, Papa Leo III kurorëzoi Charlemagne (Karlin i Madh) “perandor të romakëve”, gjatë një ceremonie në bazilikën e Shën Pjetrit.

Uilliam Pushtuesi kurorëzohet Mbret i Anglisë

Gjatë sezonit të festave të vitit 1066 ndodhi një ngjarje e cila ndryshoi një herë e mirë kursin e historisë së Europës. Ditën e Krishtlindjes, Uilliami, Dukë i Normandisë – i njohur më mirë si Uilliam Pushtuesi – u kurorëzua Mbret i Anglisë në Uestminster Abbey në Londër.  Uilliami u dha me bollëk toka edhe aleatëve të tij francezë. Kjo gjë jo vetëm ndryshoi një herë e mirë zhvillimin e gjuhës angleze – pothuajse një e treta e anglishtes moderne e ka burimin nga fjalë të frëngjishtes – por edhe kontribuoi për ngjitjen e sistemit feudal të qeverisjes, që karakterizoi pjesën më të madhe të Mesjetës.

1776: George Uashingtoni dhe Ushtria Kontinentale kalojnë Lumin Delëuer

Në fund të vitit 1776, Lufta Revolucionare dukej se po humbej për forcat koloniale. Një seri humbjesh e britanikëve kishte shkaktuar rënie të moralit, dhe shumë ushtarë kishin dezertuar nga Ushtria Kontinentale. Në kërkim të një fitoreje vendimtare, Gjenerali Uashington udhëhoqi 2400 trupa në një micion të guximshëm për të kapërcyer gjatë natës lumin e ngrirë Delëuer. Pasi u fut fshehtas në Nju Xhersi në 26 dhjetor, ushtria kontinentale realizoi një sulm të beftë në Trenton, një qytet që deri atëherë mbahej nga një forcë ushtarësh gjermanë të njohur si Hessians.

1814: Traktati i Ghentit i jep fund Luftës së 1812-ës

Në 24 dhjetor 1814, ndërkohë që shumëkush në botën perëndimore festonte Krishtlindjen, SHBA dhe Britania e Madhe u ulën të firmosnin një marrëveshje të famshme paqeje që i jepte fund luftës së 1812-ës. Negociatat kishin nisur në Ghent, Belgjikë në fillim të gushtit – në po të njëjtin muaj kur forcat britanike kishin djegur Shtëpinë e Bardhë dhe Capitol-in në Uashington. Pas më shumë se katër muaj debat, delegacionet amerikan dhe britanik ranë dakord për një marrëveshje që i jepte fund luftës si barazim. Të gjithë territoret e pushtuar u lëshuan, dhe ushtarët e zënë rob bashkë me mjetet iu kthyen shteteve respektive. Ndërkohë që Traktati i Ghentit i dha fund konfliktit 32-mujor, ai nuk hyri në fuqi në SHBA deri kur u ratifikua në shkurt 1815.

1868: Presidenti Endrju Xhonson firmos faljen për ushtarët e Konfederatës

Në fundin e mandatit të tij si president, Endrju Xhonson u dha një dhuratë të famshme Krishtlindjeje një grushti rebelësh të KOnfederatës. Përmes Shpalljes 179, në 25 Dhjetor 1868, Xhonsoni firmosi amnistinë për “të gjithë personat” që kishin luftuar kundër Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës civile. Falja e Xhonsonit ishte në fakt e katërta në një seri urdhërash për amnisti të firmosur pas luftës. Marrëveshjet e mëhershme u kishin ridhënë të drejta ligjore dhe politike ushtarëve të Konfederatës në këmbim të betimeve me shkrim për besnikëri ndaj SHBA. Falja e Krishtlindjes ishte një akt final dhe i pakushtëzuar për jugorët, duke përfshirë edhe shumë gjeneralë të KOnfederatës.

1914: Arrihet Armëpushimi i Krishtlindjeve i 1914-ës

Fryma e Krishtlindjeve u manifestua në vitin 1914 në vendin më të pagjasë: një fushëbetejë e Luftës së Parë Botërore. Duke filluar që në mbrëmjen e 24 dhjetorit, shumë ushtarë gjermanë, britanikë, francezë në Belgjikë ulën armët dhe nisën një armëpushim spontan krishtlindjeje. U tha se marrëveshja u nxit prej gjermanëve, të cilët i dekoruan llogoret e tyre me pemë krishtlindjeje dhe qirinj si dhe nisën të këndojnë këngë si “Silent Night”. Trupat britanikë u përgjigjën me versionin e tyre të “The First Noel” dhe luftëtarët u afruan në “tokën e askujt” – pjesa ndërmjet llogoreve – për të përshëndetur njëri-tjetrin dhe shtrënguar duart.

1968: Apollo 8 në orbitë përreth Hënës

Si pjesë e misionit Apollo 8, astronautët Frank Borman, Jim Lovell dhe Uilliam Anders e kaluan natën para Krishtlindjes në orbitë përreth Hënës. Operacioni ishte menduar fillimisht të testonte modulin Hënor – që më vonë u përdor për zbritjen e Apollo 11 – në orbitën e Tokës. Por kur puna për modulin u pa se nuk do arrinte afatet, NASA në mënyrë ambicioze e ndryshoi planin e misionit. Apollo 8 vazhdoi më tej duke sjellë një seri kthesash të mëdha për fluturimet hapësinorë të njeriut: Tre astronautët u bënë të parët njerëz që i largoheshin tërheqjes gravitacionale të Tokës, të parët që shihnin të gjithë Tokën nga hapësira dhe të parët që shihnin anën e errët të Hënës.

 

Zjarr Tv Ad