Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes.
Por, ky përvjetor vjen ndryshe për njeriun e madh të letrave shqipe, shtëpia e të cilit shumë shpejt do të jetë një muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, kanë nisur pa humbur kohë punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë. “Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se falë kësaj ndërhyrje, do të dalë në pah, i transformuar, një tjetër xhevahir i mbuluar nga pluhuri. “Falë projektit të Elisabetta Terragnit, arkitektes së famshme të “Shtëpisë së Gjetheve”, po vëmë dorë mbi një xhevahir të mbuluar nga pluhuri në qendër të Tiranës, e cila i ka të gjitha mundësitë të transformojë ndoshta një nga pallatet më të përfolura në Tiranë. Kemi punuar shumë me pallatet e Tiranës, me administratorët, për t’i rregulluar me veshje kapotë, por kjo ndërhyrje është e veçantë. Sigurisht, do të kujdesemi që pallati të transformohet dhe të shkojë në fazën përfundimtare siç e kishte projektuar i madhi Maks Velo, por epiqendra do të jetë apartamenti i Ismail Kadaresë, në të cilin ai jetoi nga vitet ‘70 deri në vitet ‘90, dhe ku ka shkruar disa nga kryeveprat e tij”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj falenderoi shkrimtarin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helenën, për bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës. “Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë. E falenderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës, teksa bashkia po eksploron se si do të marrë një rol aktiv edhe në muzetë e qytetit, dhe mbi të gjitha t’i uroj atij jetë të gjatë, shëndet dhe gëzuar ditëlindjen”, tha Veliaj.
Arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë. “Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri.
Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij.
Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte.
Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë”, tha Elisabetta Terragni.