Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut/ Edi Rama: Nxënësit do mësojnë për holokaustin në shkolla

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në fjalën e tij, gjatë forumit ndërkombëtar mbi përkujtimin e Holokaustit, kryeministri Edi Rama veçoi kontributin e Shqipërisë e cila strehoi një numër të lartë hebrenjsh atëherë kur si ashtu siç ai tha, të ishte hebre ishte dënim me vdekje. Rama u shpreh se kjo ka në themel ligjit zakonor të shqiptarit që thotë se ligji dhe kushtetuta e parë nis me një paragraf që thotë se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, e pikërisht atyre që janë në kërkim të strehës dhe mund të trokasin në derën tënde. Këtu Rama përmendi kontributin për strehimin e afganëve, duke theksuar se Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që pranoi të strehonte 4000 afganë duke pasur parasysh historinë e saj në 30 vite më parë.

“Ju falemnderit. Kam një fjalim me tre kapituj këtu, po do të flas shkurt. Dyshoj nëse të gjithë në këtë sallë e njohin historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndaj do më duhet të përsëris atë çka thashë në një prej seancave; Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe është vendi që u kthye në një strehë të sigurt për hebrenjtë, të cilët erdhën pikërisht për të gjetur strehë e për të shpëtuar pikërisht në atë kohë kur në kontinentin tonë, të ishe hebre, ishte praktikisht një dënim me vdekje. Do të merrte gjatë po të tregoja sesi ndodhi dhe arsyet për këtë, por në themel qëndron ligji ynë zakonor, kodi i nderit i shqiptarëve, Kushtetuta jonë e parë, nëse mund ta them kështu, që nga mesjeta. E gjitha nis me një paragraf që thotë se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Përkthimi fjalë për fjalë nuk është “e mikut” në kuptimin e njerëzve që fton, po e shtegtarit që, në kërkim të strehës, mund të të trokasë në derë. Pason një shpjegim të tërë për trokitjen në derë, detyrimin për ta hapur dhe ndëshkimi më i ashpër i ligjit zakonor është për ata që nuk e respektojnë këtë paragraf. Forma më e rëndë e çnderimit është të tradhtosh mikun.

Kështu, hebrenjtë në Shqipëri ishin edhe më parë një komunitet i vogël dhe Shqipëria ishte mes të paktave vende Europë që përcaktonte me ligj të drejtën e Shabatit të tyre. Shabati ishte e drejtë ligjore dhe asnjë subjekt punëdhënës i sektorit publik ose privat nuk mund ta penalizonte, një person, një hebre pse s’ishte në punë për shkak të Shabatit. 

Po çfarë bëmë me gjithë këtë histori më pas? Mendoj se për ne është thelbësore që të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim dhe të bëjmë sa më shumë të mundemi që fëmijët tanë, jo thjesht të mësojnë prej kësaj historie, por edhe t’i rrinë besnikë këtij kodi nderi. Ne qemë vendi i parë që u hapi dyert afganëve dhe pranoi të strehonte 4000 afganë, e meqë ra fjala, kundërshtia në vendin tonë ishte e papërfillshme, pasi shqiptarëve u vjen natyrshëm t’i gjenden atij që është në nevojë, ashtu siç ishim ne tridhjetë vjet më parë, kur iknim nga regjimi brutal dhe gjetëm dyer që na u hapën kur kishim nevojë”, deklaroi Rama.

Rama deklaroi se Akademia e Shkencave ka bërë studime akoma më thella në lidhje me strehimin e hebrenjve në Shqipëri dhe sot i ka dorëzuar kreut të Muzeut të Holokaustit një listë të re që përmban 3750 emra. Rama e konsideroi këtë një kontribut për muzeun ku theksoi se është i nderuar që Shqipëria është pjesë. Ai u shpreh se dy librat për holokaustin do të bëhen pjesë e programit mësimor në ciklin parauniversitar në shkollat shqiptare nga viti i ardhshëm.

“Së fundi, për ta përmbyllur, u ndjeva i prekur nga rastësia në këtë forum që, në të njëjtën seancë plenare më parë, ishte i pranishëm kreu i Yad Vashem-it (Muzeut të Holokaustit); sepse erdha këtu me një dokument që përmban lajme të reja për këtë histori, në kuptimin që, sipas regjistrit të Yad Vashem-it, hebrenjtë që u shpëtuan në Shqipëri ishin 2265 dhe kjo listë i përket vitit 2005… Por ne kemi vazhduar të studiojmë, kemi vazhduar të hyjmë më në thellësi përmes një ekipi shumë të mirë pranë Akademisë së Shkencave, i drejtuar nga një profesor i shquar dhe kështu sot, i dorëzova zotërisë së nderuar një listë të re, që shkon në 3750 emra. Ky është një kontribut shtesë që Shqipëria jep për muzeun ku jemi shumë krenarë të bëjmë pjesë, po aq sa jemi krenar që Shqipëria është vlerësuar ndër “Të drejtët mes kombeve”, për shkak të veprës së vet gjatë Holokaustit. Në të njëjtën kohë, këta dy libra, janë ajo çka do të bëhet pjesë e programit mësimor, programit parauniversitar në shkollat tona, sërish, me  krenari që tashmë, në Izrael, në shkolla, rasti shqiptar ka hyrë si pjesë e programit shkollor. Të njëjtat tekste për mësuesit dhe nxënësit në Izrael do të jenë pjesë e programit të ri arsimor për vitin 2022-2023 dhe më tej. Kaq kisha”, u shpreh Rama.

Gazetarja: Duke qenë se nuk kemi kohë do ju sfidoj të më jepni një fjali si përgjigje secili ndaj kësaj pyetjeje: “Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të luftuar antisemitizmin?” Me një fjali. Kryeministri Rama, me një fjali, cila është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të luftuar antisemitizmin?

Kryeministri Edi Rama: Me një fjali mund të jetë e vështirë dhe për dikë që vjen nga Ballkani mund të jetë edhe më e vështirë.

Gazetarja: Po prandaj është sfidë…

Kryeministri Edi Rama: … se ne jemi mësuar të flasim me shumë fjali, por do të thoja që, së pari antisemitizmi nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë, ka të bëjë me vetë qeniet njerëzore. Të luftosh antisemitizmin nuk lidhet vetëm me luftën kundër kësaj murtaje përmes fakteve të Holokaustit, por me luftën kundër gjithçkaje raciste, fondamentaliste, përjashtuese për të tjera qenie njerëzore. Kjo është arsyeja pse besoj fort që, jo vetëm antisemitizmi i drejtpërdrejtë, por çdo formë relativizmi apo zbutjeje, në emër të larmisë së opinioneve dhe të qëndrimeve në raport me antisemitizmin, hap rrugë që kjo murtajë të hajë atë çka është e mirë brenda nesh dhe shoqërive tona.

 

Zjarr Tv Ad