Nga Andi Bushati
Nëse Edi Rama është një burrë i gjatë që e përdor shtatlartësinë e tij si alibi se ai, as nuk gënjen, as nuk vjedh, rrokaqiejt e regjimit të tij, janë prova më ulëritëse për të kundërtën. Këtë e tregon më së miri vendimi i fundit i qeverisë për legalizimin e pallateve dhe shtesave të ngritura pa leje. Kjo fushatë, e shoqëruar me auto- videot qesharake të Ballukut dhe Çuçit, me hedhjen në treg të emrave të një apo dy ndërtuesve, me aksionet e ububushme të IKMT, ngjan si dy pika uji, me një tjetër tallje: kryqëzatën “Fundi i marrëzisë” kundër lojrave të fatit.
Edhe ateherë u bë një zhurmë e madhe për ndalimin e kumarit, policia e Saimir Tahirit i rrethoi pikat e llotove me shiritat e skenave të krimit dhe e gjitha përfundoi me propozimin e një projektligji, që u shty disa herë, për ndalimin e bixhozit.
Po ta shohim nga sot, kur bastet janë rihapur dhe qendra e kryeqytetit është mbushur me kazinotë e hoteleve me pesë yje që nuk janë ngritur ende, e kuptojmë më lehtë se e gjitha shërbeu për të eleminuar disa konkurentë në treg dhe për ta përqëndruar këtë biznes, sa fitimprurës po edhe aq shkatërrimtar, vetëm në pak duar.
Në këtë pikë, fundi i kateve shtesë, është identik në formë me “Fundin e marrëzisë”. Por meqënëse pushteti personal vjen gjithnjë në degradim, të dy aksionet ndryshojnë në përmbajtje. Sepse nëse me lojën kundër basteve Edi Rama u tregua i pamoralshëm dhe mashtrues ndaj publikut, ai qëndroi brenda kuadrit ligjor. Ndërsa në rastin e tanishëm ai po e shkel atë me të dyja këmbët.
Dhe kjo për dy arsye. E para se aksioni është selektiv dhe tjetra se ai tenton të shpëtojë me vendim qeverie ata që për ndërtime pa leje duhet të ishin subjekte të Kodit Penal.
Kush e mban mend seancën parlamentare të pak ditëve më parë, kur Rama prezantoi këtë nismë, me siguri ka vënë re se si shefit të qeverisë iu tha pështyma, filloi të spërdridhet dhe vijoi me piruetat e zakonshme, gjatë një debati me Gaz Bardhin. Deputeti demokrat i tregoi me fakte dhe foto, se si kryeministri kishte tejkaluar kompetencat duke legalizuar, pas pilafit, pesë katet mbi lejen 37 katshe të kullës Downtown Albania, tek 7 xhuxhat. Në heshtjen e turpshme të të gjithëve, madje dhe të mbështetësve të foltores, denoncimi i Bardhit, që tregonte se kryeministri ata që do i fal, ndërsa të tjerët i ndëshkon, qe demaskimi më efikas i selektivitetit të aksionit të tanishëm.
Por ka edhe më keq sesa ndarja në të preferuar dhe jo të tillë, për ndërtuesit që kanë shkelur ligjin. Shumë juristë po ngrenë alarmin se vendimi i qeverisë për konfiskimin apo pagimin me çmimin e tregut të kateve pa leje, kapërcen Kodin Penal që i dënon deri me 8 vite burg ata që kanë sfiduar shtetin. Pra ndryshe nga mbi 3 mijë qytetarë të zakonshëm, që janë proceduar deri më tani, qoftë dhe për një mur rrethues, bosët e ndërtimit do ta zgjidhin me para atë për të cilën njerëzit e zakonshëm shkojnë në burg.
E pra ky aksion selektiv, ku edhe brenda vetë të privilegjuarve, disa bisha janë më të barabarta se të tjerat, kjo amnisti e fshehur që shmang votimin me ⅔ në parlament, ky pengim i drejtësisë për të vepruar, është tallja më e madhe në kohën kur reforma në drejtësi pompohet nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Ajo është dëshmia se pavarësisht nga pallavrat qeveritare apo hipokrizia diplomatike, ligji nuk vepron dot për të gjithë njësoj. Nëse rihapja e basteve dëshmoi se pushteti është kapluar nga marrëzia, legalizimi i ndërtimeve pa leje po tregon se një tjetër marrëzie, asaj të reformës në drejtësi, i ka dalë përfundimisht boja. /Lapsi.al