Iriqi:- Populli di detyrime 110 milionë euro ndaj Becchettit. Ju thoni 236 milionë. Sa është e vërteta?
Denaj:– Pardje unë thashë 236. Aq ishin deri atë çast.
Iriqi:– Po deri sot?
Denaj:– Sot mbase e ka kapur 300 milionë. Se ne dënohemi çdo ditë.
Iriqi:– Nga se ndodh kjo?
Denaj:– Ngaqë Rama e di që vendi ynë quhet “Republika e Edvinit”. Mendon se mund të flasë si të dojë dhe të bëjë ç’të dojë. Po bota ka rregulla, nuk ka gjyqtarë që i friksohen vetingut.
Iriqi:– Po a i keni folur, e keni këshilluar?
Denaj:– Pranon këshilla i marri? Është i fiksuar. Populli i do trimat, thotë.
Iriqi:– Po si do e ndërtoni buxhetin e vitit që vjen?
Denaj:– Ne jemi ndryshe nga bota. Ata kanë buxhet. Ne kemi Becchett.
Iriqi:– Dhe?
Denaj:– Dhe do vendosim taksa të reja.
Iriqi:– Si do i paguajë ky popull i varfër? Ku t’i gjejë?
Denaj:– Nuk do i paguajë populli.
Iriqi:– Po kush?
Denaj:– Fëmijët e këtij populli. Ata që kanë ikur e punojnë jashtë. Do shtojnë paratë që nisin për në Shqipëri. Kaq e thjeshtë është. Populli nuk do preket. Fare, fare. Është politika jonë sociale. Asnjë barrë detyrimesh mbi shqiptarët.
Iriqi:– Çfarë taksash do vendosni?
Denaj:– Taksa të çuditshme, por që na duhet t’i aprovojmë. Psh, taksa e të qeshurës.
Iriqi:– Çfarë?
Denaj:– Po, po. Bile me tre shkallë.1-Buzëqeshja.2-Qeshja.3-Gajasja. Kush bën të tretën paguan trefishin e së parës. Ose taksa e katit. Ai që banon në katin më të lartë do paguajë disafish më shumë se kati i parë. Ke ajër më të pastër, do i themi. Ose taksa e ecjes. Ai që nxiton në rrugë do paguajë më shumë se një që del me nge. Kemi plan dhe për taksë ndaj atij që qan, por akoma nuk e kemi specifikuar se mos na sulen policët në varreza e iu ngjitin në dorë gjobat njerëzve atje. Qoftë larg po iu turrën ndonjë kortezhi pas xhenazes.
Iriqi:– Mendoni se do ia arrini?
Denaj:– Besoj se po. Nëse nuk na shtohen dënime të tjera.
Iriqi:– Ka shenja?
Denaj:– Po. Pritet që së shpejti Lotarisë Kombëtare t’i bjerë Lotaria. Të fitojë me gjyq nja 150 milionë euro.
Iriqi:– Nëse shtohen edhe 150 milionë?
Denaj:– Atëherë hyn në lojë Lul Basha.
Iriqi:– Si?
Denaj:– Do i japë Rama Ministrinë e Financave. Merre dhe administroje, do i thotë.
Iriqi:– Po ai ka thënë që nuk e pranon.
Denaj:– Si fillim ashtu thotë ai. Më pas, eh, më pas!
Iriqi:– Më pas çfarë ndodh?
Denaj:– Ndodh që gjobat vazhdon e i merr Rama dhe punon e djerdh djersë Luli me PD që t’i shlyejë. Ndaj nuk thosh kot Konica:
“Shqipëri, moj e mjerë,
S’të kuptova asnjëherë…”.
© SYRI.net