Shtohet misteri, ku ndodhet karantina për koronavirusin?

0
71

Autoritetet shëndetësore shqiptare vazhdojnë të mbajnë sekret vendodhjen e karantinës në rast të shfaqjes së koronavirusit në vend.

Eugena Tomini, ekspertja e ISHP-së nga Task-Forca për koronavirusin në daljen e radhës për mediat siguroi që ajo nuk është brenda QSUT.

Tomini: Karantina nuk është brenda QSUT, por ju garantoj se plotëson të gjitha kushtet.

Ndërsa bëri përditësimet e të dhënave të 24 orëve të fundit, ajo tha  se dje janë testuar katër raste të dyshuara që kanë rezultuar negativ.

Tomini: Nga periudha e shfaqjes e epidemisë në Kinë në janar dhe deri mbrëmjen e djeshme janë testuar 17 raste, që kanë dalë negativ. 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 me Italinë. Nga të gjitha pikat kufitare, në  24 orët e fundit janë vlerësuar 3500 udhëtarë që kanë pasur histori udhëtimi në vendet me transmetim të shpërtimit komunitar.

Aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët që udhëtojnë në linjat me aeroportin e Shqipërisë. Rekomandojmë udhëtarët që kanë udhëtuar në zonat e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar me koronavirus të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. Të telefojnë në 127 për të marrë udhëzimet e duhura.

Udhëtarët nga Italia- Të gjithë udhëtarët vlerësohen për temperaturën. Pjesa e popullatës e futur në karantinë në veri të Italisë nuk del nga karantina.