Shtyhet me dy javë afati për grumbullimin e të dhënave për popullsinë dhe banesat! Zbulohet shkaku i vendimit, ja sa % e territorit nuk është numëruar ende

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Grumbullimi i të dhënave për regjistrimin e popullsisë dhe banesave shtyhet edhe me dy javë, sipas një njoftimi zyrtar të sotshëm të INSTAT.

Grumbullimi i të dhënave nisi më datën 18 shtator 2023 dhe do zgjaste 6 javë për të përfunduar në fund të tetorit, por duket se koha fillestare nuk ka qenë e mjaftueshme duke bërë që procesi të zgjatet deri më 15 nëntor.

Në një njoftim për mediat, Instituti i Statistikave, njofton se aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave i shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të periudhës së parashikuar në terren, ka pasur ecuri pozitive.

Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në këtë aktivitet, rreth 3 për qind e zonave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ende nuk janë numëruar, për këtë arsye në disa zona të disa bashkive të vendit, mbledhja e informacionit në kuadër të Censit do të vazhdojë deri në datën 15 Nëntor 2023.

Shkaqet e këtij vendimi janë:

– Rikontaktimi më shumë se 3 herë në banesat pa kontakt, refuzimet apo distancat e largëta;

– Ndërtimet e reja dhe ato në zonat e prekura nga tërmeti, që janë identifikuar gjatë punës në terren nga anketuesit e INSTAT. Ky proces vazhdimësie nënkupton mbulim të plotë të territorit nga ky aktivitet.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave./Monitor

Zjarr Tv Ad