Shtyhet seanca në KPK për Pajtime Fetahun, gjyqtarja kërkon mbarimin e statusit të magjistratit

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një kërkesë e gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetah për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës dëgjimore me argumentin se kishte depozituar kërkesë për heqje dorë nga statusi i magjistratit për shkak të daljes në pension, u trajtua të martën më 15 nëntor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK. Fetah nuk ishte e pranishme në seancën dëgjimore, por ajo u përfaqësua nga avokatja Regleta Panajoti.

Procesi i rivlerësimit për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.

Pajtime Fetah e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në nëntor 2021, ajo iu nënshtrua një procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%.

Kryesuesja Shuli shpjegoi në fillim se seanca dëgjimore po zhvillohej në vijim të kërkesës së subjektit të rivlerësimit në depozituar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, për dalje në pension. Avokatja Panajoti paraqiti kërkesë paraprake, duke kërkuar ndërperjen dhe shtyrjen e seancës me argumentin se e përfqësuara prej saj kishte dorëzuar një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme nga statusi i magjistratit, por Shuli shpjegoi se në seancë do të trajtohej pikërisht kjo kërkesë.

Në vijim, relatorja Sanxhaktari paraqiti në mënyrë të detajuar gjithë komunikimet e ndërsjellta që Komisioni kishte pasur me Fetahun lidhur me kërkesën e saj të depozituar në KLGJ, si dhe kërkesat drejtuar trupës për ndërperje e pezullim të procesit deri në vendimarrjen e Këshillit.

Për kërkesën e subjektit për pezullim të procesit, Sanxhaktari vërejti se ndërprerja do të vlerësohet nga KPK, nëse është për shkak të dorëheqjes apo për arsye të moshës së pensionit.

Avokatja Panajoti deklaroi se Fetah ka kërkuar dorëheqjen nga statusi i magjistratit për dy arsye, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe mbushjes së moshës së pensionit. Panajoti kërkoi më shumë kohë në rast se do të trajtoheshin edhe gjetjet e hetimit, duke argumentuar se kishte pak ditë që ishte pajtuar si përfaqësuese ligjore e Fetahut dhe nuk kishte mundur të njihej me gjithë dosjen. Sipas avokates, nëse Komisioni do të çmonte se subjekti duhej të dëgjohej, Fetah do të ishte e pranishme.

Relatorja Sanxhaktari vërejti se kërkesa e Fetahut nuk kishte qenë e qartë, nëse ishte për dalje në pension për shkak të moshës, apo ishte për dorëheqje nga statusi i magjistratit. “Diku thuhej se është pension i parakohshëm, diku se është i detyrueshëm,” sqaroi relatorja lidhur me kërkesën e subjektit.

Në fund të seancës, kryesuesja Shuli e pyeti avokaten nëse Fetahu kërkonte që procesi i rivlerësimit të ndërpritej apo të vijonte. Panajoti e cilësoi si një çështje individuale dhe se nuk mund të jepte një përgjigje për këtë pyetje. Ajo kërkoi shtyrje të seancës dhe u shpreh se nëse Fetah do të ishte mirë nga gjendja shëndetësore, do të paraqitej edhe vetë për t’u dëgjuar.

Komisioni shtyu seancën dhe sqaroi se seanca e radhës do të njoftohet në faqen zyrtare online./ Reporter.al

Zjarr Tv Ad