Një prej shkrimtarëve më të lexuar bashkëkohorë, spanjolli Carlos Ruiz Zafon ndërroi jetë pas një beteje dy vjeçare me kancerin. Autori i disa romaneve të suksesshëm vlerësohet si një nga romancierët më të rëndësishëm të letërsisë moderne.
Shkrimtari i mirënjohur spanjoll, autor i disa romaneve bestseller përfshirë edhe “Hija e erës”, Carlos Ruiz Zafon është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare.
I vlerësuar si autori më i lexuar në Spanjë që nga koha e Servantesit, Zafon ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Los Anxhelos pas një beteje dy-vjeçare me kancerin.
Duke e cilësuar një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë, shtëpia botuese “Planeta” solli në vëmendje një thënie nga libri i tij më i famshëm “Hija e erës” që flet për një librari veprash të harruara.
“Çdo libër ka shpirt. Shpirtin e njeriut që e ka shkruar dhe atij që e lexon dhe ëndërron me të.”
Për ndarjen nga jeta të shkrimtarit reagoi edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter u shpreh: “Ne kemi humbur një nga shkrimtarët më të lexuar dhe admiruar në të gjithë botën. Carlos Ruiz Zafón, romancieri kryesor i epokës sonë, dha një kontribut të rëndësishëm në letërsinë moderne.”
Autor i 8 romaneve, përfshirë “Loja e Engjëllit” dhe “labirintet e shpirtit” dhe fitues i shumë çmimeve, Zafon është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës, ndërsa ka shitur rreth 8 milionë kopje të librave të tij në mbarë botën.
Në shqip për herë të parë veprën e Carlos Ruiz Zafon e ka sjellë përkthyesi, i ndjeri Ardian Klosi.