Një ditë pasi shqetësimi për gjendjen e arsimit në Shqipëri, u bë pjesë e debateve parlamentare, sot alarmi u dha edhe nga presidenti i Republikës Ilir Meta. Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit e cilësoi situatën me arsimin si krizën më të rëndë ekzistenciale dhe dramë kombëtare. Sipas Metës, kjo është një kambanë që bie për qeverinë, parlamentin, shoqërinë civile dhe për çdo familje shqiptare.
“Një shqetësim madhor lidhur me situatën e arsimit në vendin tonë si një tregues i qartë i problemeve me të cilat ndeshen të rinjtë tanë dhe pengesë madhore për të ardhmen e të rinjve tanë në vendin tonë dhe shoqërinë shqiptare. Renditja e Shqipërisë e fundit për cilësinë e arsimit është sinjal i fortë alarmi për tronditjen e sistemit në tërësi, kambanë që bie për qeverinë, parlamentin, shoqërinë civile dhe për çdo familje shqiptare se është e papranueshme që më pak se 30% e pjesës aktive të shoqërisë të jetë me arsim të mesëm. Diskriminuese që 20% e vajzave nga 25-39 vjeç të zotërojnë këtë arsim. 40% e popullsisë e moshës 25-39 të ketë vetëm me arsim fillor. Nuk e meritojnë universitetet tona renditjen tonë të fundit në rajon dhe Europë”.
Për metën shkaku madhor i kësaj krize në arsim është largimi i të rinjve dhe shpopullimi i vendit. Ai i bëri apel qeverisë që të marrë masa për nxjerrjen nga koma të arsimit.
“Të gjitha këto për shkak të braktisjes dhe shpopullimit. Kriza në arsim është kriza më e rëndë ekzistenciale, dramë kombëtare, i heq Shqipërisë rininë dhe burimet njerëzore si promotorë të përparimit e modernizimit të saj. Qeveria të marrë masa për reforma për të shëndetësuar arsimin nga militantizmi partiak, për ta nxjerrë nga koma dhe për ta futur në binarë konkurrues të tregut të dijes dhe teknologjisë. Vetëm me një arsim konkurrues e cilësor do t’u japim të rinjve shpresë dhe krahë për të fluturuar por jo jashtë Shqipërisë”.