Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”.
“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS , Republika e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se është duke bërë presion mbi serbët e Kosovës për t’u larguar nga institucionet.
Në anën tjetër, Vuçiq ka thënë se supozimet që serbët po veprojnë me urdhër të Beogradit, “janë të pakuptimta”. Vuçiq ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.