Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministri i Shëndetësisë, ka vendosur të shtyjë edhe me disa ditë të tjera rihapjen e procesit mësimor.
Me këtë urdhër të ri të bërë publike paraditen e kësaj të shtune, shkollat, çerdhet, kopshtet dhe universitetet do të qëndrojnë mbyllur deri në datën 14 janar. Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se për ditët në vijim parashikohet ulje e mëtejshme e temperaturave dhe nisur nga këto kushte “shtyrja e rifillimit të procesit mësimor është e pashmangshme”.
Me një urdhër të mëparshëm, qeveria kishte vendosur që pushimi të zgjasë deri ditën e hënë, por për shkak se epidemia e gripit ka përfshirë mijëra banorë, ndërsa edhe moti nuk premton përmirësim, pushimi për sistemin parauniversitar dhe pasuniversitar do të zgjasë deri më 14 janar.
“Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministri i Shëndetësisë, në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ka urdhëruar sot më datë 07.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe institucioneve të arsimit parauniversitar dhe universitar në datat 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14 janar 2017”, thuhet në njoftimin zyrtar të MSH.