Në vitin 2009, për herë të parë u prodhuan kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike me elemente të larta sigurie. Për shkak të liberalizimit të vizave, shqiptarët u pajisën masivisht me këto dokumente, që skadonin pas 10 vitesh. Në 1.4 milionë karta dhe pasaporta ka të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe jashtë saj.
“Qytetarët duhet të nxitojnë të pajisen me dokument duke nisur nga janari i 2019-s, për të shmangur radhët dhe konfuzionin”, tha Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme.
Sipas Ministrisë së Brendshme, janë mbi 3 milionë e gjysmë shtetas shqiptarë me të drejtë vote, brenda dhe jashtë vendit. Emigrantët nuk kanë nevojë të vijnë në Shqipëri për t’u pajisur me dokumentet e reja, pasi i marrin në ambasadat dhe konsullatat tona.
“Emigrantët pajisen në konsullatat dhe ambasadat tona në vendet ku jetojnë me dokumentet e reja”, tha më tej Rovena Voda.
Një kupon për letërnjoftim kushton 1.500 lekë, ndërsa kuponi për pasaportë është 7.500 lekë. Pa mjet identifikimi, një person nuk voton dhe nuk merr dot shërbime publike apo private.
Ministria e Brendshme e ka nisur fushatën e sensibilizimit duke pajisur me informacione të gjitha zyrat që merren me pajisjen me këto dy dokumente të rëndësishme.