Pikiatën që i ndodhi kur ia ndërruan zyrën e Ministrit të Mjedisit me qelitë e burgut 313, Lefter Koka e priti me një qetësi të rrallë. Në fakt, hetimet e SPAK as nuk ia kishin prerë hovin e fushatës për Partinë Socialiste dhe ai e çoi deri në fund detyrën për “çuarjen për skrap” të LSI-së në Durrës.
Përçapjet e prokurorëve që gjurmonin paratë nuk ia prishnin qetësinë, për sa kohë ishte një ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, siç tregoi edhe video, ku të dy, bënin pazare politike nën avujt e alkoolit.
Me të njëjtën qetësi u tërhoq nga politika. Megjithëse laku i hetimeve për inceneratorët ngushtohej, në shtator të 2021 ai sakrifikoi mandatin e sapofituar të deputetit pa dhënë shumë shpjegime. Në heshtje priti edhe arrestimin. Në 14 dhjetor të vitit të kaluar i vunë prangat. As nuk u largua nga vendi, as nuk ia hodhi fajin shokëve të partisë. Heshtja u duk se do të shkonte deri në vetëmohim.
Kërcënimet e Lefter Kokës
Prandaj dhe deklaratat kërcënuese të avokatit të Lefter Kokës erdhën si rrufe në qiell të pastër. 10 muaj pas arrestimit, ish-ministri i arrestuar i qeverisë Rama akuzoi se po e përdornin për të marrë lavde si “peshk të madh”.
“Lefter Koka është i sëmurë, por është gjallë”, tha ai. “Do keni mundësi të dëgjoni të vërtetën e z.Koka, fakte dhe argumenta që s’i keni dëgjuar por janë bazuar mbi atë kallëzim politik”, tha avokati.
“Ftoj mediat në procesin me dyer të hapura ku do dëgjojnë më shumë nga tani përveç akuzave politike me të cilat është arrestuar”, u shpreh avokati, që kërkon një masën “arrest shtëpie” për klientin e tij.
Kërcënimet që “shpërblyen” Alqi Bllakon
Një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Lefter Kokës, ish-Sekretari i tij i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako është në shtëpi.
Bllako ndejti vetëm 6 muaj në burg, megjithëse akuzohet për korrupsion në të njëjtën aferë si Lefter Koka. Bllako u arrestua më vonë (1 prill) dhe u lirua më herët (6 tetor) se Lefter Koka, duke nxjerrë bllof prokurorët e SPAK që hetojnë çështjen.
Por kushdo që e ka ndjekur në vijimësi çështjen e inceneratorëve, e ka të qartë se situatat e arrestimit të Alqi Bllakos dhe Lefter Kokës ndryshojnë si nata me ditën.
Bllako dhe Koka, dy qëndrimet para arestimit
Pavarësisht bashkëpunimit të gjatë që kanë pasur me njëri-tjetrin, Alqi Bllako dhe Lefter Koka patën reagime të ndryshme para arrestimit.
Nëse Koka dorëzoi në heshtje mandatin e deputetit dhe nuk bëri asnjë reagim, Alqi Bllako deklaroi se ishte i pafajshëm. Menjëherë pasi SPAK i kërkoi parlamentit arrestimin, Alqi Bllako bëri një deklaratë publike, ku paralajmëroi se do të përballej me prokurorët dhe se do të fliste për t’u vetëmbrojtur.
Një tjetër detaj shumë i rëndësishëm janë orët para arrestimit. Ndërkohë që Lefter Koka i priti në heshtje dhe u hapi derën e shtëpisë policëve që i vunë prangat, Alqi Bllako nuk qe aq bashkëpunues.
Natën e 31 marsit duke u zbardhur 1 prilli, Bllako u zhduk. Orët e misterit atë natë ngritën një fortunë mediatike. Versioni më i besueshëm qe arratisja e ish-deputetit jashtë vendit. Në media u fol edhe për negociata dhe një marrëveshje të fshehtë, që Bllako e fitoi përmes shantazhit dhe kërcënimit. Kjo nuk u provua asnjëherë.
Por është fakt se Bllako heshti për pretendimet që kishte si i pafajshëm, megjithëse paralajmëroi se do t’i bënte publike. Vërtet heshti, por qëndroi vetëm 6 muaj në burg. Sot është pranë familjes së tij. Në anën tjetër, Lefter Koka, që i besoi ish-shokët e partisë mbeti në burg prej 10 muajsh.
I penduar për heshtjen, ai sot kërcënon se do të flasë. Mbetet për t’u parë nëse po luan bllofin apo është gati të marrë me vete ish-bashkëpuntorët në aferën e inceneratorëve./LAPSI