Kryeministri shqiptar, Edi Rama, vazhdon histerinë e tij me tonet e luftës, duke theksuar edhe sot se po vazhdon kundër-ofensiva ndaj sulmit kibernetik. Edhe pse Shqipëria vazhdon të mbetet kryesisht me shërbime offline, Rama deklaron se disa faqe janë kthyer në funksion.
NJOFTIMI NGA KRYEMINISTRIA
Kundër-ofensiva e AKSHI-t dhe aleatëve ndaj nderhyrjeve kibernetik po ecën me ritme të shpejta dhe në përputhje me planin e emergjencës.
Pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh pa pushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet.
Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh.
Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë:
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
-Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.
Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.
Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
Kjo rezultoi kundërpërgjigja e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë. Falenderojmë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët.
Siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë.