Qeveria ka reaguar pas skandalit të publikimit të një databaze që përmban emrat dhe pagën e rreth 630 mijë qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se nga analizat paraprake nuk rezulton të ketë asnjë “eksport dixhital të databazës së pagave për periudhën janar-prill 2021. Qeveria thotë se databaza që qarkullon në WhatsApp, është e ndryshme nga ajo që përdor institucioni dhe nuk përmban fushën “Emri i Plotë”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Endri Fuga shprehet se po përgatitet një denoncim zyrtar në prokurori lidhur me zbardhjen e “kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë, Endri Fuga:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.