Kandidati i LSI-së për deputet në qarkun e Dibrës, Hajri Laçi ka zbuluar të tjera detaje për makinën e bllokuar ditën e sotme në Maqellarë.
Në një bisedë telefonike me Fax News, Laçi deklaroi se brenda në makinë janë gjetur rreth 6-7 milionë lekë, ndërsa makina i përkiste Denis Xholit, Drejtori i Prokurorimeve Publike në Bashkinë Bulqizë.
“Është gjetur një listë me emra. Disa lista janë grisur. Rreth 6-7 milione u gjeten. Janë mbylluar të gjitha veprimet dhe mjeti së bashku me personat që ishin në makinë po shoqerohen në Polici. Mjeti është në pronësi të Denis Xholi. Drejtori i Prokurorimeve Publike në Bashkinë Bulqizë”, u shpreh ai.
Makina u ndalua ditën e sotme nga Struktura për Mbrojtjen e Votës pranë PD-së, të cilët nuk kanë lejuar largimin e personave brenda në makinë pa ardhur policia.
Në prezencën e Policisë, shoferi dhe pasagjeri janë kontrolluar nga simpatizantët e opozitës për prova që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.
Pasi i kontrolluan, ata lejuan policinë që t’i shoqeronte dy personat që ishin brenda në makinë, por makinën nuk kanë lejuar ta heqin që aty pa ardhur prokuroria dhe policia.
Edhe tashmë që po kryhet mbledhja e provave, simpatizantët e opozitës nuk janë larguar për asnjëe moment nga vendngjarja për të mos lejuar fshehjen e provave.