Kërkimet shkencore në Shqipëri mbeten pa fonde. Universitetet kanë dhënë miliona euro për sigurinë e godinave, karburant makinash dhe ngrohje edhe pse studentët nuk ishin në auditore. Edhe kur në auditore nuk ka pasur studentë, shpenzimet në periudhën pandemike mbeten thuajse të njëjta me ato vitet e tjera. Për vitin akademik 2020-2021, 6 universitete shtetërore kanë shpenzuar 32, 5 mln euro vetëm për shërbime.
Shpenzimet më të shumta i ka marrë siguria e godinave. Nga 130.428 euro që janë përdorur një vit më parë, vitin e shkuar u hodhën 1.888.400 euro. “Më dramatik bëhet fakti që në këtë vit online ku askush nuk ka frymuar në këto godina kemi një shtim prej 130 mijë eurosh të buxhetit për ruajtjen e godinave në krahasim me atë paraardhës,” tha Qiraxhi.
Për kërkimet shkencore, niveli i fondeve është më i ulëti. Edhe kjo vlerë nuk ka qenë e shpërndarë te të gjithë por vetëm në dy universitete, ai i Elbasanit dhe Politekniku në Tiranë. “Të gjithë ata profesorë, të gjithë ata studiues dhe kërkues shkencorë mund ta kuptojnë se sa vlerë minimale dhe qesharake janë 17.700 euro për të kërkuar dhe për të bërë një kërkim shkencor,” shtoi Qiraxhi.
Nuk kanë munguar as investimet për ngrohje, kur auditoret kanë qenë bosh. “Këto godina pavarësisht se kanë qenë bosh duket se dikush është ngrohur dhe sallat janë ngrohur ku shohim se 332 mijë euro nga 6 universitete janë shpenzuar për ngrohjen dhe pastrimin e godinave,” tha Qiraxhi. Shpenzimet për karburantin e makinave kanë qenë gjithashtu të larta.
“Ne kemi përjetuar një mbyllje totale, ne kemi përjetuar në izolim në shtëpi, kemi përjetuar fasha orare të vendosura për shkak të Coivd, pro 120 mijë euro kanë shkuar për karburantin e makinave,” vazhdoi Qiraxhi. Këto shifra i pranojnë edhe pedagogët e universiteteve, të cilët thonë se lista e prioriteteve është e përmbysur. “Për mua është e trishtueshme që institucionet e arsimit të lartë t’i kenë përparësitë e përmbysura.” Të dhënat janë mbledhur nga Qëndresa Qytetare në Universitetin e Tiranës, Politeknikun, Universitetin e Elbasanit, të Shkodrës, Korçës dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës.