Prishja e kontratave koncesionare nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e hidrocentraleve mund të përkthehet në një faturë të lartë financiare për buxhetin e shtetit.
Pas njoftimit të bërë nga ministrja, Belinda Balluku për skanimin e të gjitha kontratave koncesionare, me qëllim përcaktimin e vijueshmërisë së tyre, kanë reaguar koncesionarët.
Ata kanë vënë në dispozicion të ‘Scan’ kontratat që kanë nënshkruar me autoritetet shtetërore, ku përcaktohen qartë detyrimet që i lindin shtetit në rast të prishjes së njëanshme të tyre.
Në dokument thuhet se në rast të zgjidhjes së kontratës për faj të Autoriteti Kontraktues, ky i fundit duhet t’i paguajë koncesionarit shumat e papaguara të investimit të kryer deri në momentin e zgjidhjes së kontratës si dhe kapitalin e investuar ose që planifikohet të investohet.
“Natyrisht që këtë dëm nuk e paguan ministria, por të gjithë ne, pasi paratë do të merren nga buxheti i shtetit”, shprehen investitorët. E pyetur nga televizioni, ministrja Balluku deklaroi se nga prishja e kontratave nuk do të lindë asnjë detyrim financiar për shtetin shqiptar.
Megjithatë, sipas investitorëve kjo nuk është e vërtetë, pasi edhe nëse gjykata shqiptare nuk jep vendimin e duhur, ajo e Strasburgut do të shprehet në favor të tyre, pasi gjithçka është e shkruar shumë qartë në kontratë.