Sonda ‘Kurioziteti’ që NASA-s ka lëshuar në Mars po bën zbulime të reja në planet. Kjo sondë ka qenë duke u ngjitur në malin Sharp që nga viti 2014 dhe kohët e fundit ka arritur në një zonë me baltë që mund të japë të dhëna të reja rreth mundësive të jetës në këtë planet. ‘Kurioziteti’ hasi pengesa të premten e kaluar, kur një shkëputje gjatë ndezjes ndërpreu aktivitetet e saj të planifikuar dhe e vendosi në gjendje jo aktive. Sonda u nxor nga kjo gjendje të martën, më 19 shkurt, dhe është duke vepruar normalisht. Gjatë gjithë fundjavës, ‘Kurioziteti’ dërgoi dhe morri të dhëna teknike, duke komunikuar me ekipin me qëllim që të ndihmonte në identifikimin e çështjes. ‘Ne ende nuk jemi të sigurt për shkakun e defektit dhe po mbledhim të dhënat përkatëse për analizë’, tha Steven Lee, zëvendës drejtor i projektit në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s në Pasadena të Kalifornisë.
JPL udhëheq misionin e ‘Kuriozitetit’.
‘Sondës iu bë një ristart total një herë, por që atëherë ka funksionuar normalisht, çka është një shenjë e mirë’, shtoi ai. ‘Ne jemi duke punuar për të marrë pamje të kujtesës së saj për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ketë ndodhur. Si rezultat, kemi vendosur që operacionet shkencore të pezullohen për një periudhë të shkurtër kohore’. Kurioziteti është një nga dy anijet kozmike të NASA-s që studiojnë vazhdimisht sipërfaqen e planetit Marsian. ‘In Sight’, një lander stacionar, arriti në planet më 26 nëntor. ‘Kurioziteti’ ka qenë duke eksploruar një rajon të quajtur ‘Glen Torridon’ ku mineralet e argjilës mund të shihen nga orbita. Mineralet e argjilës, të cilat formohen në ujë, janë veçanërisht interesante për ekipin shkencor. Sonda është projektuar posaçërisht për të studiuar mjedise të lashta që mund të kenë pasur jetë, dhe uji luan një rol kyç një përcaktim të tillë. Ndërsa inxhinierët tentojnë rivendosjen e kompjuterit, ekipi shkencor do të vazhdojë të studiojë imazhet dhe të dhënat e tjera që janë mbledhur nga ‘Glen Torridon’. ‘Ekipi shkencor është i etur për të analizuar mostrën tonë të parë nga ky vend interesant’, – tha Ashwin Vasavada i JPL, shkencëtari i projektit Curiosity.