Nga Eduard Zaloshnja
Nga një sondazh elektronik që zhvillova me 1420 zgjedhës të Bashkisë Tiranë (urbanë e ruralë), rezultoi se, në qoftë se votohet sot në Tiranë, 54.3% e pjesëmarrësve do t’ia jepnin votën Erion Veliajt dhe 45.7% Belind Këlliçit (39 ndër 100 zgjedhës tiranas s’do të votonin fare).
Për krahasim, PS+PSD morën vjet 52.8% të votave në territorin e Bashkisë Tiranë, ndërsa partitë e tjera morën 47.2% (34 ndër 100 zgjedhës tiranas nuk votuan fare).
Para zhvillimit të primareve të PD-së, përballja hipotetike Veliaj-Këlliçi më rezultoi 55.1%-44.9% në një sondazh që zhvillova në të gjithë territorin e Tiranës (40 ndër 100 zgjedhës tiranas s’do të votonin fare).
Ndërsa në një sondazh elektronik që zhvillova kur Këlliçi shpalli publikisht kandidaturën e tij, përballja hipotetike Veliaj-Këlliçi më rezultoi 54%-46% (42 ndër 100 zgjedhës tiranas s’do të votonin fare).
Duke përmbledhur sa më sipër, në 5 javët e fundit, Veliaj është luhatur pak a shumë në intervalin 54%-55%, ndërsa Këlliçi është luhatur në intervalin 45% – 46% (shihni grafikun shoqërues).
Mbetet të shihet sesi do të ndikojë në këto përqindje futja në garë e kandidatit/kandidates së fraksionit të Alibeajt…