Sonila Meço: Dorëheqja e Kurz dhe dyshimet për korrupsion, të tilla histori i kemi parë dhe në filma

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Sonila Meço

Një histori e shkurtër shteti: “Kancelari austriak Sebastian Kurz jep dorëheqjen”

Kurz dha mbrëmjen e sotme dorëheqjen, pasi u përfshi në një skandal korrupsioni. Megjithëse deri më sot kish mohuar çdo tërheqje të mundshme, Të Gjelbrit në koalicion qeverisës bënë presion të fortë duke provokuar krizë qeveritare. As numrat nuk i favorizonin për një koalicion të ri, por kriza qeveritare mbetej shqetësimi më i vogël për ta dhe aleatët e tjerë.

Autoritetet austriake kontrolluan zyrat e Kurz dhe selinë e partisë, që ai drejton në Vjenë të mërkurën pas dyshimeve se Kurz dhe rrethi i tij i ngushtë përdorën fondet publike për të korruptuar drejtues sondazhesh dhe rezultatet e tyre, një portal, si edhe figura të shquara të medias në këmbim të mbulimit në favor të tij.

“Mes viteve 2016 dhe 2018, fondet buxhetore të Ministrisë Federale të Financave u përdorën për të financuar sondazhet e kryera nga një kompani sondazhi në interes të një partie politike dhe zyrtarit të saj të lartë, të motivuara ekskluzivisht nga politika njëpartiake dhe shpesh me rezultate të manipuluara”, deklaroi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Por Kurz mund të përballet edhe me aktakuzë për një tjetër çështje, në lidhje me dëshmi të rreme të dhëna nën betim para një komisioni hetimor parlamentar vitin e kaluar.

Megjithëse Kurz deri pasdite i kujtonte kundërshtarëve politikë dhe medias “prezumimin e pafajësisë”, mos përfundimin e hetimeve dhe shihej si i pazëvendësueshëm në parti, në mbrëmje u detyrua të rigëlltisë “racionin” e vakteve të ditës.

Për vite me radhë i pasfidueshëm në postin e kryetarit të partisë, gëzonte mbështetje të fortë edhe në zgjedhje, duke i bërë fushatat elektorale fushë beteje të lehtë drejt pushtetit. Kaq shumë mbështetje kish Kurz, sa rrjetet sociale u mbushën me komente të tipit: “Çdo politikan ka diçka për të fshehur nëse i afrohesh shumë”. Relativizim i fortë i krimeve të dyshuara të Kurz.

Që nuk mjaftuan…

Presidenti austriak më herët deklaroi: “Kjo është krizë qeveritare dhe jo shteti. Sepse institucionet mbetën të paprekura”. Mesa duket e vetmja deklaratë e ditëve të fundit, që rezultoi e vërtetë dhe e qendrueshme.

Përmbledhje me fjalë kyçe:
-Fonde publike për të blerë media.
-Fonde publike për të blerë sondazhe.
-Fonde publike për të blerë gazetarë.
-Fonde publike për të blerë ndikim mediatik dhe artikuj, para dhe pas zgjedhjeve.
-Korruptim i një portali për lajme të favorshme.
-Prezumimi i pafajësisë nuk e mbron dot nga dorëheqja një kryeministër a zyrtar në pushtet.
-Hetimet e papërfunduara nuk e pengojnë aktin e dorëheqjes së kryeministrit a zyrtarit të lartë.
-Relativizimi i korrupsionit nga publiku me shprehjen “të gjithë njëlloj janë”.
Por edhe kjo e fundit e pamjaftueshme për të penguar dorëheqjen e një kryeministri a zyrtari të lartë.

Ngjarje të tilla ndodhin kudo, i kemi parë edhe nëpër filma.

Zjarr Tv Ad