Ashtu siç edhe pritej, ish-kreu i ARRSH-së ka përfunduar nën akuzë për rrugën Kardhiq-Delvinë.
Ndaj drejtoreshës së këtij institucioni u ngritën dy padi, të cilat e çuan në dyert e SPAKut e nga nisen hetimet për dy akuza. Ditën e djeshme, SPAK-u i komunikoi akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë Sonila Qatos, e cila mbajti për nëntë muaj detyrën e drejtoreshës së autoritetit rrugor shqiptar deri në shtator 2019 kur edhe dha dorëheqjen në kulmin e një përplasjeje me një subjekt private. Përveç saj, mes të pandehurve janë edhe Erdit Salillari, Elona Gogo, Simon Prendi, Admir Pahumi, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.
Ish-zyrtarja dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave konsiderohen nga SPAK-u në shkelje të detyrës për përzgjedhjen e një tenderi për aksin rrugor KardhiqDelvinë. Dosja u hap pranë Prokurorisë së Posaçme mbas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit që hodhi dritëhije për abuzimet me tenderin me vlerë 5 milionë euro.
Pak ditë më parë, Sonila Qato u thirr në SPAK për tu pyetur për këtë dosje ashtu si edhe anëtarë të vlerësimit të ofertave, ku dhe deklaroi se gjatë asaj kohe ishte përpara prokurorëve si person që kishte dijeni.
Qato që ka mbajtur edhe portofolin e ministres së Sipërmarrjes tha se e dha dorëheqjen nga ARRSH-ja, për t’i lënë dritë jeshile SPAK-ut mbi procesin hetimor qe tanimë mbas komunikimit të akuzës, po shkon drejt fundit. Pritet që dosja për të cilën veç KLSH-së, kreu denoncim dhe një kompani ndërtimi t’i dorëzohet gjykatës së posaçme antikorrupsion me akuzat e shkeljes së barazisë në tenderë dhe shpërdorimit të detyrës.
SONILA QATO KUNDËRSHTON PROKURORIN
Prokuroria e Posaçme i ka bërë me dije të mërkurën ishdrejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderë” për tenderin për ndërtimin e tunelit në rrugën “Kardhiq-Delvinë”. Qato, e cila u paraqit mëngjesin e djeshëm në zyrat e SPAK-ut, i tha BIRN se i ka kundërshtuar gjetjet e prokurorit.
“Kundërshtova gjetjet e prokurori,t duke mos i pranuar ato dhe do ndjek procedurat ligjore në vijim”, tha Qato që u paraqit në prokurori me avokatin mbrojtës të saj, Vladimir Meçe. ARRSH-ja e drejtuar nga Qato akuzoi kompaninë për falsifikim të dokumenteve në tender. Kompania u përgjigj duke akuzuar direkt Qaton për favorizim të një kompanie në garën për tunelin në fjalë.