Ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur që ta festojë në Elbasan festën e Ditës së Verës, ku nëpërmjet një prononcimi të shkurtër për mediat ka uruar qytetarët shqiptarë.
Ai është shprehur se kjo është dita e lulzimit dhe çeljes së gjithçkaje të mirë, teksa i është përgjigjur edhe pyetjeve mbi atë që po ndodh në PD.
I pyetur nëse do të tërhiqej nga Partia Demokratike së bashku me Bashën për të zgjidhur krizën në PD, ai u shpreh se kjo është vetëm një përpjekje e stisur dhe një bllof i Bashës, teksa shtoi se bllofin do ua lërë në dorë atyre që po e bëjnë.
“Elbasani konsiderohet nga cdo shqiptar kryeqyteti i festës. Uroj mbarë shqiptarët festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e lulëzimit, e shpërthimit të burimeve, e çeljes së gjithçkaje të mirë. Në këtë kontekst, uroj që për shqiptarët kjo ditë të sjellë ndërrimin e madh që ata presin me padurim, ndërrimin e narkoshtetit dhe rivendosjen e shtetit ligjor. Një urim të përzemërt kam për ata qindra mijëra qytetarë shqiptarë që kanë mbushur rrugë dhe sheshe të qyteteve për të protestuar kundër një politike cinike të pashpirt, e cila përdor si falje dhe pretekst hijet e luftës në Ukrainë për të justifikuar rritjen dramatike dhe të pajustifikuar të cmimeve, të produkteve më jetike për shqiptarët. Edhe një herë, gëzuar këtë ditë për mbarë qytetarët shqiptarë.
Mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve drejt votës së lirë dhe idealeve të tyre të lirisë. S’po mbroj asgjë tjetër veç votës së lirë. Ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe bllofit, por atyre që bëjnë këtë do u lëmë bllofin në dorë”, tha Berisha.