Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion pritet që në vijim të merren në pyetje 5 gratë të cilat këtë diel u kthyen në Shqipëri nga Siria. Burime nga SPAK bëjnë me dije se gratë do të merren në pyetje këto ditë, ndërsa prokurorët e strukturës antikorrupsion do shkojnë në qendrën e posaccme në Durrës për ti marrë deklarimet.
Përmes marrjes në pyetje SPAK do të verifikojë udhëtimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të Sirisë. Gjithashtu burimet bëjnë me dije se do kërkohet informacion për rekrutuesit financuesit dhe personat që i kanë ndihmuar këto shtetase që të kalojnë nga Shqipëria përmes itenerarit nga Turqia me destinacion final Sirinë.
Një tjetër çështje me rëndësi për hetimin, i cili ka nisur vite më parë nga një procedim i ish- prokurorisë për krimet e rënda, ka të bëjë me faktin se kush i rekrutoi dhe financoi shqiptarët që shkuan për të luftuar për ISIS në Siri. Megjithatë për këtë cështje ka disa të dënuar, njëri prej të cilëve u vendos në regjimin 41 bis për herë të dytë. Disa ditë më parë, u riatdhesuan Brunilda Koçollari, Emanuela Vladi, Ruzhdije Balliu, Lavdie Kaca dhe Klotilda Zani.