SPAK i bllokoi pasaportën dhe i caktoi masën ‘detyrim paraqitje’, Ilir Beqaj jep dorëheqjen nga dy postet shtetërore

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen nga dy postet shtetërore që ai mbante pasi Prokuroria e Posaçme i komunikoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe i bllokoi pasaportën.

Ish-ministri i Shëndetësisë ka hequr dorë nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post që e mbante prej vitit 2021, dhe është larguar nga grupi negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku u bë pjesë në tetor të këtij viti.

SPAK ka ngritur tre akuza ndaj ish-zyrtarit për procedurën e dhënies me koncesione të pajisjeve të sterilizimit:

“Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim,
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”
Ndaj tij u caktua masa “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, si edhe urdhërohet që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.

SPAK gjithashtu po kryen hetim pasuror ndaj Ilir Beqajt edhe për shkelje të tjera, ku një prej tyre është dhe ajo e fondit klinik.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..
Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

Zjarr Tv Ad