Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar do të shqyrtojë me datë 9 Nëntor kërkesën e SPAK, për të rikthyer në qeli ish-deputetin socialist Alqi Bllako.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022, në ngarkim të personit nën hetim Alqi Bllako, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi caktoi seancën gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje më 09.11.2022, ora 09:00″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ish-deputeti socialist u akuzua si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Në seancën e datës 6 Tetor, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve të Bllakos duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.