Duke folur për vizitën e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, avokati Spartak Ngjela tha se ka lidhje me ndihmën që ai na dha për tërmetin, sipas tij, miqësia shihet në vështirësi, ndonëse shtoi se në politikë nuk ka miqësi. Sa i takon ardhjes së Erdogan në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ngjela u shpreh se “Tani ai nuk është aq hajvan, i paditur, të mos dijë që kastriotizmin këta e kanë këtë doktrinën e themeleve të kombit të tyre. Ku mund të vish këtu pa Gjergj Kastriotin?”
Nuk na prish ndonjë punë vizita e Erdogan. Turqia ka kërkuar vetë të hyjë në BE. BE ka pasur një ngërç. Lind problemi që Erdogani plus Ramën, në këto momente, kanë një bashkëpunim disi të ngushtë, por vizita e tij në këto momente ka lidhje me ndihmën që dha për tërmetin. Miqësia duket në vështirësi. Çdo miqësi dallohet kur ti je në vështirësi. Dhe ai në vështirësi dha mbi 50 milionë dollarë dhe erdhi të inauguronte një nga ato ndërtesat. Kur ka ardhur në fillim Erdogan, donte të ishte si zëdhënës i Perandorisë Osmane, kurse Turqia nuk ka lidhje me Perandorinë Osmane. Në fillim të viteve 90, Chilleri, na ka thënë se duhet të kemi kujdes se islamizmi jonë ka ardhur nga Turqia, dhe islamizmi turk është shumë liberal. Ta dini se po të dalë historia e vërtetë e Shqipërisë, nuk ka Perandori Osmane. Pashallarët tanë e ngritën Perandorinë Osmane dhe sollën gjithë arin këtu, që e shpartalluan këta, edhe Enver Hoxha, edhe tjerët.
Ka një mori të madhe personalitetesh shqiptare në Perandorinë Turke, janë rreth 16 kryeministra e vezirë të mëdhenj. Të gjithë këtë gjendje ky e vlerëson, se vjen me tendenca Osmane, por tani duket se ka hequr dorë. Turqia ka qenë një shtet laik i jashtëzakonshëm, por ky po ua prish. Ku shkonte kryeministri turk të inauguronte xhami?! Kur shkoja në vitet 90 më thonin “avokat nuk di një gjë, hoxha nuk del dot këtu”. Pra, ka qenë një shtet shumë modern. Kurse kjo që erdhi tani dhe miqësia që ka me Ramën, duhet të kemi parasysh, çdo kryeministër ka nevojë për para, miqësi reale nuk ka në politikë. Ishte dëm i madh shumë tërmeti, ku kishte para ky.
Më parë këta e bllokuan që të mos e shohë Erdoani, madje unë e kam akuzuar Ramën se izoloi Skënderbeun, që të mos e shihte Erdogani. Shteti shqiptar dhe i Kosovës kanë një doktrinë të përbashkët dhe pa të nuk ekzistojnë, kastriotizmi. Të dy shtetet janë me kastriotizëm. Tani ai nuk është aq hajvan, i paditur, të mos dijë që këta e kanë këtë doktrinën e themeleve të kombit të tyre. Ku mund të vish këtu pa Gjergj Kastriotin? Mund të ketë shkuar Vuçiç, por këtu ka një konjeksion, se dhe Rama me Vuçiç kanë marrëdhënie të ngushta. Mund të ketë ndërhyrë Rama që të zbusë marrëdhëniet.