Spiropali: Zgjedhje në qershor,s’ka pakt me Bashën e bishtat e tij

0
12

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh e vendosur në mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, datë e përcaktuar sic tha ajo nga Presidenti i Republikës. Një përgjigje Spiropali kishte edhe për zërat e një marrëveshjeje të mundshme mes dy aktorëve kryesorë politik në vend, Kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha.

“Zgjedhjet do të ndodhin në 30 qershor, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës, sepse ne duam t’i japim Shqipërisë një fytyrë kushtetuese, ligjore, të drejtë ku të gjithë të besojnë që politika nuk është çështje pazari, shantazhi, as dhune. Të jeni të sigurt se nuk kemi ndërmend të bëjmë asnjë marrëveshje me Bashën, Kryemadhin apo bishtat e tjerë që i kanë dalë para Shqipërisë dhe duan ta rrëzojnë. Zgjedhjet do të ndodhin në 30 qershor, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës” u shpreh Spiropali.

Ndër të tjera ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, u ndal edhe në protestat e opozitës.

“Drejtuesit e ngjarjeve me molotov janë të njëjtët që drejtuan armët ndaj protestuesve të pafajshëm, ku u vranë 4 qytetarë, u plagosën rëndë 6 të tjerë dhe dhjetëra të tjerë me plagë më të lehta”. Në total kishte 570 fishekë ose mund të kishim 570 viktima potenciale të urdhëruara nga ai që ishte Kryeministër dhe mëkëmbësit e tij. Edhe kur janë në pushtet edhe kur janë në opozitë ata kanë vetëm flakën, gurin, apo molotovin si alternative. Kjo që po ndodh nuk dëmton qeverinë por Shqipërinë, demokratë e socialistë pa dallim. Këta nuk e kanë për gjë të ndezin flakën në fytyrën e Shqipërisë dhe të përkthejnë deklaratat e tyre qesharake duke i nisur rrugëve të Holandës, Berlinit etj, aq sa edhe mbështetësit tanë habiten se si ish-kryeministra shkruajnë dhe flasin kundër vendit të tyre”, vijoi më tej Spiropali.