{"id":238513,"date":"2022-02-21T18:55:56","date_gmt":"2022-02-21T17:55:56","guid":{"rendered":"https:\/\/zjarr.tv\/?p=238513"},"modified":"2022-02-21T18:55:56","modified_gmt":"2022-02-21T17:55:56","slug":"komisioni-hetimor-per-inceneratoret-jo-pertej-kuadrit-kushtetues","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/komisioni-hetimor-per-inceneratoret-jo-pertej-kuadrit-kushtetues\/","title":{"rendered":"Komisioni hetimor p\u00ebr incenerator\u00ebt, jo p\u00ebrtej kuadrit kushtetues"},"content":{"rendered":"<p>ARTAN FUGA<\/p>\n<p>Afera e incenerator\u00ebve, nga sa kam m\u00ebsuar nga raportimet n\u00eb media dhe sa ka rrjedhur informacion nga hetimet e drejt\u00ebsis\u00eb, tregon se deri n\u00eb \u00e7far\u00eb mase abuzohet n\u00eb shoq\u00ebrin\u00eb shqiptare me paran\u00eb publike. Dhe kjo n\u00eb dy kuptime:<\/p>\n<p>Paguajm\u00eb qimet e kok\u00ebs p\u00ebr sh\u00ebrbime t\u00eb pab\u00ebra.<\/p>\n<p>\u201cTenderat\u201d u \u201cfalin\u201d pasurit\u00eb komb\u00ebtare disa individ\u00ebve, t\u00eb cil\u00ebt sigurisht p\u00ebrfitojn\u00eb sepse ata nuk jan\u00eb ve\u00e7se tebdil\u00eb p\u00ebr t\u00eb fshehur vjedhjet, grabitjet, pasurimin e njer\u00ebrzve t\u00eb veshur me pushtet.<\/p>\n<p>Ne si qytetar\u00eb nuk kemi nevoj\u00eb t\u2019a shpikim rrot\u00ebn, as ta rizbulojm\u00eb Amerik\u00ebn pas Kolombit sepse si vidhemi ne kjo duket te jeta jon\u00eb n\u00eb zgrip t\u00eb varf\u00ebris\u00eb dhe te vilat, makinat lluksoze, pronat, llogarit\u00eb bankare t\u00eb pushtetar\u00ebve dhe t\u00eb politikan\u00ebve t\u00eb gjitha ngjyrave!<\/p>\n<p>Krijimi i kompanive q\u00eb dalin si k\u00ebpudha pas shiut dhe q\u00eb marrin paran\u00eb publike duke i kaluar milionat e eurove sa nga njera dor\u00eb te tjetra, gjoja p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar rrug\u00eb, sheshe, kanale, landfille, etj., doli n\u00eb pah edhe nga hetimet e SPAK s\u00eb fundi lidhur me incinerator\u00ebt!<\/p>\n<p>P\u00ebrse at\u00ebher\u00eb mua m\u00eb duket nj\u00eb loj\u00eb teatrale, nj\u00eb teat\u00ebr komik kukullash, nj\u00eb hedhje hi sysh neve qytetar\u00ebve, kjo loja e fundit e shpikur me komision parlamentar hetimi p\u00ebr afer\u00ebn e incinerator\u00ebve?<\/p>\n<p>\u00c7far\u00eb dreqin kam un\u00eb me at\u00eb komision, kur mund t\u00eb supozoja q\u00eb kushdo q\u00eb heton, pra edhe ca deputet\u00eb dhe deputete t\u00eb hetojn\u00eb, keq nuk b\u00ebn? Thon\u00eb se edhe dy t\u00eb rrahura nuk b\u00ebjn\u00eb keq, jo m\u00eb dy hetime, nga nj\u00ebra an\u00eb SPAK dhe nga ana tjet\u00ebr ky komisioni parlamentar?<\/p>\n<p>\u00c7far\u00eb dreqin kam q\u00eb kam q\u00eb kruhem me k\u00ebt\u00eb komisionin?<\/p>\n<p>Po, kam arsyet e mia q\u00eb po i ndaj k\u00ebtu me ju!<\/p>\n<p>E para sepse te ky komision dhe m\u00ebnyra si po vepron ai, si po paraqitet funksioni i tij nga zonja q\u00eb e kryeson, deputetja Tabaku, shoh friksh\u00ebm t\u00eb veproj\u00eb pik\u00ebrisht katrahura m\u00eb e madhe nga vuan shqiptari i sot\u00ebm, shfaqet goditja e madhe q\u00eb ka marr\u00eb pas shpine demokracia shqiptare, manifestohet hipokrizia nga e cila ka vuajtur dhe vuan parimi i par\u00eb i funksionimit t\u00eb shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs : Shkat\u00ebrrimi i ndarjes s\u00eb pushteteve.<\/p>\n<p>N\u00eb at\u00eb komision un\u00eb shoh sesi bashkohet drejtuesi i partis\u00eb politike, me statusin si deputet, me mediat, dhe s\u00eb fundi sesi partit\u00eb politike, deputet\u00ebt, organet e hetimit, mediat, bashkohen n\u00eb nj\u00eb! Pik\u00ebrisht ky bashkim fatal na ka b\u00ebr\u00eb q\u00eb ne si qytetar\u00eb t\u00eb mos kemi shtetin ligjor q\u00eb duam! Kuvendi, deputet\u00ebt, partit\u00eb politike, mediat, organet e drejt\u00ebsis\u00eb b\u00ebhen tok, pra marrin t\u00eb gjitha funksionet, dhe hetojn\u00eb nj\u00eb \u00e7\u00ebshtje!<\/p>\n<p>Le ta gjykojn\u00eb edhe drejt, le t\u00eb gjykojn\u00eb edhe nj\u00eb \u00e7\u00ebshtje t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme, bashkimi i t\u00eb gjitha pushteteve n\u00eb nj\u00eb, \u00ebsht\u00eb i friksh\u00ebm sikurse e realizon gjith\u00eb dit\u00ebn partia q\u00eb ka shumic\u00ebn n\u00eb Kuvend, pra partia e Edi Ram\u00ebs, ashtu kur at\u00eb e pranon si nj\u00eb patate t\u00eb nxeht\u00eb, si kurth, a me d\u00ebshir\u00eb edhe partia e Lulzim Bash\u00ebs, apo \u00e7do grup tjet\u00ebr politik q\u00eb t\u00eb jet\u00eb.<\/p>\n<p>S\u00eb dyti, them se pjes\u00ebn d\u00ebrmuese t\u00eb fajit e ka vet\u00eb ligji p\u00ebr komisionet parlamentare, t\u00eb cilin \u00e7do gjykat\u00eb kushtetuese e ndershme do ta kishte nxjerr\u00eb p\u00ebr dere p\u00ebrjashta si nj\u00eb shpull\u00eb e p\u00ebrditshme q\u00eb i jepet shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs dhe si thik\u00eb pas shpine \u00e7do qytetari t\u00eb ndersh\u00ebm shqiptar. Ai ligj shprehet se komisionet parlamentare mund t\u00eb krijohen p\u00ebr cdo \u00e7\u00ebshtje, lexojeni mir\u00eb: p\u00ebr \u00e7do \u00e7\u00ebshtje, dhe pavar\u00ebsisht se thuhet q\u00eb ato komisione nuk mund t\u00eb z\u00ebvend\u00ebsojn\u00eb gjykatat, ato mund t\u00eb th\u00ebrrasin forc\u00ebrisht para tyre cdo njeri!!!<\/p>\n<p>D\u00ebgjojeni dhe lexojeni mir\u00eb! Deputet\u00ebt mund t\u00eb vendosin q\u00eb t\u00eb hetojn\u00eb \u00e7do \u00e7\u00ebshtje t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb pa kufizim mjafton t\u00eb bien dakord me njeri tjetrin, dhe bie fjala t\u00eb na hetojn\u00eb si qytetar\u00eb p\u00ebr cdo \u00e7\u00ebshtje dhe t\u00eb marrin d\u00ebshmit\u00eb tona duke na thirrur forc\u00ebrisht, pra me polic\u00eb atje!!!<\/p>\n<p>Ligja n\u00eb fjal\u00eb e ka pasur oreksin e madh! Ajo i jep deputet\u00ebve fuqi pik\u00ebrisht p\u00ebr t\u00eb vepruar si gjykat\u00eb, madje duke p\u00ebrdorur edhe forc\u00ebn p\u00ebr t\u00eb na \u00e7uar t\u00eb deponojm\u00eb a d\u00ebshmojm\u00eb atje!!!<\/p>\n<p>Kur qytetari thirret n\u00eb polici a n\u00eb prokurori ai ka t\u00eb drejt\u00ebn e marrjes t\u00eb avokatit! Ai ka t\u00eb drejt\u00ebn t\u00eb pyetet nga hetues dhe prokuror\u00eb q\u00eb jan\u00eb profesionist\u00eb n\u00eb fush\u00ebn e tyre. Japin llogari p\u00ebrpara ligjit p\u00ebr respektin e procedurave. Kan\u00eb afate dhe kompetenca t\u00eb kufizuara me ligj p\u00ebr afatet, ruajtjen e sekretit t\u00eb hetimit dhe mbi t\u00eb gjitha kan\u00eb t\u00eb drejt\u00ebn p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar largimin e prokurorit ose personit q\u00eb heton n\u00ebse ai konflikt interesi q\u00eb e b\u00ebn t\u00eb mos jet\u00eb i paansh\u00ebm n\u00eb hetim!<\/p>\n<p>S\u00eb treti nj\u00eb \u00e7udi e madhe t\u00eb trondit! Edhe themi se kemi b\u00ebr\u00eb reform\u00ebn e madhe n\u00eb drejt\u00ebsi, kemi kompletuar SPAK-un, edhe dim\u00eb se \u00e7\u00ebshtja po hetohet nga SPAK, edhe shohim se n\u00eb rrug\u00eb paralele komisioni hetimor parlamentar b\u00ebn sikur heton t\u00eb njejt\u00ebn gj\u00eb! Un\u00eb nuk e di sesa d\u00ebshmit\u00eb para tij n\u00eb fakt mund t\u00eb sh\u00ebrbejn\u00eb p\u00ebr ta diskredituar, b\u00ebr\u00eb presione, ndikuar subjektivisht n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb partiake, vet\u00eb hetimin q\u00eb b\u00ebn organi i drejt\u00ebsis\u00eb. Por, kuptohet q\u00eb ky i fundit duksh\u00ebm ndodhet n\u00ebn presionin politizues t\u00eb dy forcave politike.<\/p>\n<p>Si \u00ebsht\u00eb e mundur q\u00eb tribuna e k\u00ebtij komisioni ose antar\u00eb t\u00eb tij p\u00ebrdoren p\u00ebr fushata politike tani n\u00eb prag t\u00eb zgjedhjeve?<\/p>\n<p>Dikush mund t\u00eb pyesi : At\u00ebhere nuk paskan t\u00eb drejt\u00eb deputet\u00eb t\u00eb ngrejn\u00eb komisione parlamentare hetimore?<\/p>\n<p>S\u00eb kat\u00ebrti, n\u00ebse partit\u00eb q\u00eb p\u00ebrfaq\u00ebsohen n\u00eb at\u00eb komision duan t\u00eb ndihmojn\u00eb SPAK le ta b\u00ebjn\u00eb sikurse Monika Kryemadhi q\u00eb n\u00eb em\u00ebr t\u00eb LSI \u00e7far\u00eb zbuloi, dosjen e \u00e7oi n\u00eb SPAK. Kaq. Dhe pret organin e specializuar t\u00eb veproj\u00eb duke qendruar vigjilente dhe k\u00ebrkuar llogari.<\/p>\n<p>Shfaqjet komike ku merren d\u00ebshmi p\u00ebr t\u00eb dh\u00ebna q\u00eb jan\u00eb t\u00eb dokumentuara nuk kan\u00eb asnj\u00eb vler\u00eb, ve\u00e7 si fushat\u00eb politike elektorale ose si nj\u00eb p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb rikuperuar nj\u00eb reputacion opozitar t\u00eb bjerrur keqazi.<\/p>\n<p>T\u00eb marr\u00eb n\u00ebn hetim persona q\u00eb kan\u00eb statuse juridike q\u00eb kontrollohen nga Kuvendi! T\u00eb ushtroj\u00eb presion dhe t\u00eb marr\u00eb n\u00eb shqyrtim edhe organet e drejt\u00ebsis\u00eb lidhur me at\u00eb sesi po ecin hetimet. T\u00eb hetoj\u00eb deputet\u00eb t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb se \u00e7far\u00eb lidhjesh kan\u00eb me afer\u00ebn e incinerator\u00ebve. Pra, t\u00eb shoh\u00eb k\u00ebndin e vet pa paralelizuar organet e drejt\u00ebsis\u00eb.<\/p>\n<p>Sepse po rr\u00ebshkiti n\u00eb nj\u00eb d\u00ebshir\u00eb p\u00ebr loj\u00eb teatrale, p\u00ebr vullnet p\u00ebr pushtet, a p\u00ebr rikuperim reputacioni politik at\u00ebhere shkat\u00ebrron p\u00ebrfundimisht ndarjen e pushteteve, intimidon organet e drejt\u00ebsis\u00eb, dhe mbi t\u00eb gjitha na k\u00ebrc\u00ebnon neve qytetar\u00ebve me n\u00ebp\u00ebrk\u00ebmbje t\u00eb drejtave tona qytetare edhe at\u00ebhere kur midis nesh ka fajtor\u00eb q\u00eb duhet t\u00eb shkojn\u00eb para ligjit!<\/p>\n<p>Por presioni ndaj SPAK, ngado q\u00eb t\u00eb vij\u00eb, kur i thuhet indirekt : qendro te persona t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb dhe jo m\u00eb tej! ose sikund\u00ebr : arresto sepse k\u00ebshtu mendoj un\u00eb! nuk i sh\u00ebrbejn\u00eb ndarjes s\u00eb pushteteve!<\/p>\n<p>M\u00eb ngjajn\u00eb sikur komisar\u00ebt e jasht\u00ebzakonsh\u00ebm n\u00eb koh\u00ebn e revolucionit rus, t\u00eb koh\u00ebve t\u00eb kontrollit pun\u00ebtor e fshatar, apo t\u00eb zbulimit t\u00eb sabotator\u00ebve n\u00eb naft\u00eb, jan\u00eb kthyer me pushtete t\u00eb pakufij\u00ebshme!<\/p>\n<p>N\u00eb at\u00eb koh\u00eb tmerri ishte sa nga sabotator\u00ebt, por edhe m\u00eb shum\u00eb nga komisar\u00ebt e jasht\u00ebzakonsh\u00ebm q\u00eb merrnin n\u00ebp\u00ebr k\u00ebmb\u00eb \u00e7do pavar\u00ebsi dhe kufizim midis politik\u00ebs, partis\u00eb, organit ligj\u00ebv\u00ebn\u00ebs, organeve t\u00eb drejt\u00ebsis\u00eb!<\/p>\n<p>At\u00ebher\u00eb ishte tragjedi, sot \u00ebsht\u00eb komedi!<\/p>\n<p>Komisioni parlamentar hetimor t\u00eb hetoj\u00eb qeverin\u00eb, t\u00eb hetoj\u00eb vkm dhe ligjet, t\u00eb kontrolloj\u00eb funksionimin e SPAK, mos b\u00ebj\u00eb sikur zbulon t\u00eb dh\u00ebna q\u00eb gjithkush po t\u2019i vihet i gjen, apo t\u00eb vet\u00ebpromovohet meq\u00eb sikund\u00ebr thuhet meq\u00eb paska marr\u00eb d\u00ebshmi t\u00eb tipit : as un\u00eb nuk di\u00e7 si kam paguar 23 milion\u00eb euro!<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>ARTAN FUGA Afera e incenerator\u00ebve, nga sa kam m\u00ebsuar nga raportimet n\u00eb media dhe sa ka rrjedhur informacion nga hetimet e drejt\u00ebsis\u00eb, tregon se deri n\u00eb \u00e7far\u00eb mase abuzohet n\u00eb shoq\u00ebrin\u00eb shqiptare me paran\u00eb publike. Dhe kjo n\u00eb dy kuptime: Paguajm\u00eb qimet e kok\u00ebs p\u00ebr sh\u00ebrbime t\u00eb pab\u00ebra. \u201cTenderat\u201d u \u201cfalin\u201d pasurit\u00eb komb\u00ebtare disa individ\u00ebve, [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":2031,"featured_media":238514,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[231],"tags":[],"class_list":{"0":"post-238513","1":"post","2":"type-post","3":"status-publish","4":"format-standard","5":"has-post-thumbnail","7":"category-lajme"},"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/238513","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/users\/2031"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=238513"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/238513\/revisions"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media\/238514"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=238513"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=238513"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=238513"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}