{"id":323282,"date":"2023-05-30T12:33:03","date_gmt":"2023-05-30T10:33:03","guid":{"rendered":"https:\/\/zjarr.tv\/?p=323282"},"modified":"2023-05-30T12:33:03","modified_gmt":"2023-05-30T10:33:03","slug":"shkrirja-e-akademise-albanologjike-fuga-leter-rames-mos-e-firmos-ate-pacavure","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/shkrirja-e-akademise-albanologjike-fuga-leter-rames-mos-e-firmos-ate-pacavure\/","title":{"rendered":"Shkrirja e Akademis\u00eb Albanologjike, Fuga let\u00ebr Ram\u00ebs: Mos e firmos at\u00eb pa\u00e7avure"},"content":{"rendered":"<p>Akademiku, Artan Fuga, i ka d\u00ebrguar nj\u00eb let\u00ebr kryeministrit Rama ku i k\u00ebrkon t\u00eb mos e firmos\u00eb VKM-n\u00eb e p\u00ebrgatitur nga Ministria e Arsimit p\u00ebr shkrirjen e Akademis\u00eb s\u00eb Studimeve Albanologjike.<\/p>\n<p>N\u00eb shtat\u00eb faqe let\u00ebr, akademiku Fuga rendit arsyet se p\u00ebrse institutet e albanologjis\u00eb, bashk\u00eb me to edhe Akademia t\u00eb mos kalojn\u00eb n\u00eb var\u00ebsi t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave t\u00eb drejtuar nga Sk\u00ebnder Gjinushi.<\/p>\n<p>LETRA E PLOTE<\/p>\n<p>Shekuj p\u00ebrpjekjesh p\u00ebr t\u00eb mbrojtur identitetin ton\u00eb komb\u00ebtar<\/p>\n<p>v\u00ebshtrojn\u00eb pend\u00ebn Tuaj,<\/p>\n<p>zoti kryeminist\u00ebr!<\/p>\n<p> Dhjet\u00eb argumente kund\u00ebr nj\u00eb projekt \u2013 vendimi q\u00eb shkrin Akademin\u00eb e Studimeve Albanologjike <\/p>\n<p>I nderuar zoti Kryeminist\u00ebr<\/p>\n<p>Edi Rama,<\/p>\n<p>Mes hezitimesh, vendosa t\u2019Ju_ shkruaj lidhur me nj\u00eb tekst projekt-vkm q\u00eb thuhet se n\u00eb or\u00ebt n\u00eb vazhdim do ta vendosin mbi tavolin\u00ebn Tuaj p\u00ebr t\u2019u firmosur.<\/p>\n<p>B\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr nj\u00eb tekst projekt-vendimi i K\u00ebshillit t\u00eb Ministrave (vkm) q\u00eb Ministria e Arsimit ka formuluar, me t\u00eb cilin parashikohet t\u00eb shkrihen institutet e albanologjis\u00eb, bashk\u00eb me ta edhe Akademia e Studimeve Albanologjike, duke i kthyer n\u00eb nj\u00ebsi brenda struktur\u00ebs s\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave.<\/p>\n<p>Ky tekst vkm-je qarkullon tashm\u00eb prej disa dit\u00ebsh n\u00eb media, n\u00eb rrjetet sociale, goj\u00eb m\u00eb goj\u00eb dhe vesh m\u00eb vesh mes intelektual\u00ebsh, universitar\u00ebsh, studiuesish apo dhe njer\u00ebzish q\u00eb ndofta s\u2019i lidh gj\u00eb me librat, n\u00eb mbar\u00eb opinionin publik, duke shkaktuar boll shqet\u00ebsim. P\u00ebr t\u00eb mos folur p\u00ebr p\u00ebshtjellimin n\u00eb mendjet dhe zemrat e studiuesve t\u00eb ASA -s.<\/p>\n<p>Nj\u00eb z\u00eb i brendsh\u00ebm insistonte q\u00eb t\u00eb mos e shprehja mendimin tim, sepse sido ai t\u00eb jet\u00eb \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb tashm\u00eb rutin\u00eb p\u00ebr mua q\u00eb nuk d\u00ebgjohet. N\u00eb Akademin\u00eb e Shkencave vepron censura m\u00eb e fort\u00eb dhe e plot\u00eb q\u00eb mund t\u00eb imagjinohet ndaj meje. Dikush m\u00eb tha madje se n\u00eb d\u00ebshiron q\u00eb kjo vkm t\u00eb hyj\u00eb n\u00eb fuqi, at\u00ebher\u00eb shprehi publikisht kund\u00ebrshtimet q\u00eb ke p\u00ebr t\u00eb.<\/p>\n<p>E megjithat\u00eb,  un\u00eb po e b\u00ebj timen. Kam ende nj\u00eb fije shprese diku thell\u00eb n\u00eb nd\u00ebrgjegje, ndon\u00ebse tani \u00e7\u00ebshtja e kaluar n\u00eb regjistrin politik ndruaj se \u00ebsht\u00eb ngurt\u00ebsuar mjaft n\u00eb nj\u00eb sfid\u00eb mes kampesh politike nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb p\u00ebr ne studiuesit, universitar\u00ebt, albanolog\u00ebt nuk pyet fort dikasteri se \u00e7far\u00eb mendojm\u00eb. Duket sikur r\u00ebnd\u00ebsi ka se kush mban vul\u00ebn e forc\u00ebs t\u00eb pushtetit dhe jo se kush ka dijenit\u00eb e fush\u00ebs s\u00eb shkencave p\u00ebr t\u00eb cilat vendoset.<\/p>\n<p>Pavar\u00ebsisht t\u00eb gjitha k\u00ebtyre rrethanave kund\u00ebrshtuese, jam i bindur se Ju do ta refuzoni at\u00eb tekst vkm dhe relacionin q\u00eb e shoq\u00ebron, jo m\u00eb ta firmosni! Atje, sipas asaj q\u00eb intuita m\u00eb thot\u00eb, duke mos pasur asnj\u00eb argument t\u00eb vlefsh\u00ebm, nuk do jet\u00eb forca q\u00eb ta bind\u00eb vullnetin Tuaj p\u00ebr ta kaluar pend\u00ebn Tuaj mbi t\u00eb. Asnj\u00eb argument, fare! \u00cbsht\u00eb i gjithi i kopsitur keq, edhe n\u00eb p\u00ebrmbajtje edhe n\u00eb form\u00eb, nga n\u00ebpun\u00ebs q\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb larg albanologjis\u00eb, p\u00ebr t\u00eb mos th\u00ebn\u00eb i ikin prej koh\u00ebsh shkenc\u00ebs dhe dijes.<\/p>\n<p>Un\u00eb vendosa t\u2019i shkruaj k\u00ebto radh\u00eb sepse n\u00eb radh\u00eb t\u00eb par\u00eb e kam p\u00ebr detyr\u00eb ta b\u00ebj si an\u00ebtar i ASH, p\u00ebrndryshe, po t\u00eb heshtja,  nuk do t\u00eb isha ve\u00e7se nj\u00eb i padenj\u00eb, ve\u00e7an\u00ebrisht n\u00ebse rrezikun q\u00eb ndjej p\u00ebr shkencat albanologjike nuk do ta ndaja me Ju.<\/p>\n<p>Mbi dor\u00ebn Tuaj q\u00eb do t\u00eb mbaj\u00eb pend\u00ebn firmos\u00ebse, e dini vet\u00eb nj\u00ebsoj si un\u00eb, v\u00ebshtrojn\u00eb shekuj p\u00ebrpjekjesh p\u00ebr ta zhvilluar kultur\u00ebn ton\u00eb shqiptare, dhe po aq st\u00ebrmundime shekullore p\u00ebr ta studiuar dhe ruajtur dhee edukuar e transmetuar brez pas brezi at\u00eb. Pesha e shekujve \u00ebsht\u00eb shum\u00eb e r\u00ebnd\u00eb q\u00eb t\u00eb lihet p\u00ebr t\u2019u gjykuar nga nj\u00eb vkm q\u00eb p\u00ebrmban disa rreshta t\u00eb shkruar that\u00eb, pa argumente, dhe p\u00ebr t\u2019i vendosur pastaj ata si gur\u00eb t\u00eb ftoht\u00eb, pa shpirt, mbi tavolin\u00eb si vendim p\u00ebr t\u2019u firmosur nga kryeministri i Shqip\u00ebris\u00eb.<\/p>\n<p>Ka disa akte q\u00eb na ngarkojn\u00eb me p\u00ebrgjegj\u00ebsi jo thjesht para t\u00eb gjall\u00ebve t\u00eb sot\u00ebm, sepse k\u00ebta, sado me r\u00ebnd\u00ebsi, jan\u00eb gjithsesi t\u00eb p\u00ebrkohsh\u00ebm, pas disa vitesh apo dekadash nuk do t\u00eb jen\u00eb m\u00eb mbi dh\u00e9; p\u00ebrgjegj\u00ebsia dhe pesha q\u00eb r\u00ebndojn\u00eb n\u00eb k\u00ebto raste sublime, vjen m\u00eb tep\u00ebr nga ata q\u00eb nuk jan\u00eb gjall\u00eb: Nga t\u00eb vdekurit tan\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenj, dhe nga ata q\u00eb ende nuk kan\u00eb lindur, por do t\u00eb jen\u00eb, do t\u00eb na shohin m\u00eb pas pa na dh\u00ebn\u00eb ndjes\u00eb n\u00eb dekada e shekuj. Kjo pesh\u00eb \u00ebsht\u00eb, mendoj, ajo q\u00eb do t\u00eb r\u00ebndoj\u00eb sigurisht mbi at\u00eb pend\u00eb q\u00eb mbani n\u00eb dor\u00eb. Sepse pavdek\u00ebsia, q\u00eb qenia njer\u00ebzore k\u00ebrkon, sikurse nj\u00eb magjistare a lyp\u00ebse e vjet\u00ebr i tha nj\u00eb dit\u00eb, para dymij\u00eb ca qindra vjet\u00ebsh, Sokratit,  nuk q\u00ebndron te t\u00eb gjall\u00ebt, por te t\u00eb vdekurit. Tek ata q\u00eb kan\u00eb qen\u00eb dhe te ata q\u00eb do t\u00eb vijn\u00eb. P\u00ebrpara k\u00ebsaj peshe gjith\u00e7ka tjet\u00ebr b\u00ebhet e vog\u00ebl dhe pa r\u00ebnd\u00ebsi.<\/p>\n<p>Jam shprehur kund\u00ebr p\u00ebrthithjes n\u00ebp\u00ebrmjet shkrirjes t\u00eb Akademis\u00eb t\u00eb Studimeve Albanologjike nga Akademia e Shkencave ku edhe un\u00eb me t\u00eb tjer\u00eb jam pjes\u00eb. Pra nuk kam asnj\u00eb interes personal n\u00eb k\u00ebto q\u00eb shkruaj. Por kur lexova projekt vkm dhe relacionin bashk\u00ebshoq\u00ebrues t\u00eb tij mbeta disa minuta pa fjal\u00eb dhe pa frym\u00eb nga cekt\u00ebsia e argumentit t\u00eb p\u00ebrdorur si dhe nga leht\u00ebsia me t\u00eb cil\u00ebn guxojn\u00eb ta orientojn\u00eb ku duan vullnetin Tuaj.<\/p>\n<p>Po filloj me argumentet e mia. Lutem kushtojini pak koh\u00eb nga dita juaj e ngarkuar e pun\u00ebs.<\/p>\n<p>Nj\u00eb nga argumentet q\u00eb partizan\u00ebt e k\u00ebsaj p\u00ebrthithjeje t\u00eb instituteve t\u00eb albanologjis\u00eb brenda Akademis\u00eb t\u00eb Shkencave \u00ebsht\u00eb, sikurse e kan\u00eb shprehur n\u00eb vazhdim\u00ebsi prej dy a tre vjet\u00ebsh, se dikur, n\u00eb koh\u00eb t\u00eb kaluar, sipas tyre, institutet e albanologjis\u00eb kan\u00eb qen\u00eb brenda sistemit t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave. As m\u00eb shum\u00eb dhe as m\u00eb pak duan t\u00eb thon\u00eb se vendi i natyrsh\u00ebm i albanologjis\u00eb pra qenka n\u00eb Akademin\u00eb e Shkencave. Kjo p\u00ebrqasje \u00ebsht\u00eb nj\u00eb sakatim i plot\u00eb i historis\u00eb. Akademia e Shkencave e Shqip\u00ebris\u00eb u krijua nga Enver Hoxha, me vendim t\u00eb byros\u00eb politike t\u00eb Partis\u00eb t\u00eb Pun\u00ebs t\u00eb Shqip\u00ebris\u00eb, n\u00eb vitin 1972. Kurse albanologjia ka qen\u00eb vite, dekada, p\u00ebrse t\u00eb mos them disa shekuj p\u00ebrpara atij viti 1972. Kjo do t\u00eb thot\u00eb se n\u00eb shekuj albanologjia nuk ka ndonj\u00eb lidhje t\u00eb domosdoshme me at\u00eb q\u00eb quhet Akademi Shkencash; ka qen\u00eb p\u00ebrpara saj. As Marin Barleti, as Frano Bardhi, as Gje\u00e7ovi, as Ndre Mjeda, as Fishta, as Koliqi, nuk kan\u00eb qen\u00eb ndonj\u00ebher\u00eb an\u00ebtar\u00eb t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave q\u00eb partia krijoi me vendim t\u00eb byros\u00eb politike n\u00eb vitin jo edhe aq shum\u00eb t\u00eb larg\u00ebt 1972. Prandaj, kush jep si argument p\u00ebr k\u00ebt\u00eb p\u00ebrthithje t\u00eb albanologjis\u00eb nga Akademia e Shkencave, duke p\u00ebrs\u00ebritur pa turp ose nga padija se \u201ck\u00ebshtu ka qen\u00eb tradita e suksesshme e s\u00eb kaluar\u00ebs, institutet e albanologjis\u00eb brenda Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave\u201d, ai ose nuk e njeh historin\u00eb e shkenc\u00ebs n\u00eb Shqip\u00ebri, ose nuk i tutet fare syri t\u00eb fabrikoj\u00eb mashtrime monstruoze.<\/p>\n<p>P\u00ebr t\u00eb p\u00ebrligjur k\u00ebt\u00eb p\u00ebrdhosje t\u00eb albanologjis\u00eb nuk tuten as t\u00eb marrin n\u00ebp\u00ebr goj\u00eb albanolog\u00ebt tan\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenj t\u00eb k\u00ebtyre pes\u00ebdhjet\u00eb a shtat\u00ebdhjet\u00eb vjet\u00ebve t\u00eb fundit. Ua vjedhin pun\u00ebn dhe mundin e past\u00ebr dhe fisnik, dhe p\u00ebrs\u00ebri pa turp dhe pa zem\u00ebr, ua integrojn\u00eb n\u00eb Akademin\u00eb e Shkencave. Kan\u00eb nevoj\u00eb p\u00ebr nj\u00eb p\u00ebrthithje q\u00eb t\u00eb ket\u00eb ndodhur n\u00eb histori p\u00ebr t\u00eb shpikur p\u00ebrthithjen q\u00eb d\u00ebshirojn\u00eb. Nuk tuten fare t\u00eb shtremb\u00ebrojn\u00eb historin\u00eb krijuese t\u00eb Cabejit, Kostallarit, Bud\u00ebs dhe t\u00eb gjith\u00eb atij brezi hulumtuesish q\u00eb la kockat n\u00eb karriget e Bibliotek\u00ebs Komb\u00ebtare, a t\u00eb tjer\u00ebve n\u00eb mos m\u00eb martir\u00eb t\u00eb albanologjis\u00eb, n\u00eb qeli burgjesh. N\u00eb ato koh\u00eb, Akademia e Shkencave ishte po aq n\u00eb burgje, sa n\u00eb sall\u00ebn e ndri\u00e7uar me drita t\u00eb Akademis\u00eb. Dihet pra q\u00eb Albanologjin\u00eb nuk e krijoi akademia e shkencave, por ishte Albanologjia q\u00eb krijoi akademin\u00eb e shkencave. K\u00ebta korifej t\u00eb studimit t\u00eb shpirtit kolektiv shqiptar q\u00eb p\u00ebrmenda dhe t\u00eb tjer\u00eb po aq t\u00eb nderuar sa ata, duke dh\u00ebn\u00eb t\u00eb gjith\u00eb kontributin e tyre n\u00eb institute albanologjike q\u00eb sot duan t\u2019i shkrijn\u00eb, nuk punonin dhe krijonin aspak brenda asambles\u00eb s\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave. Ata b\u00ebn\u00eb t\u00eb mundur q\u00eb shum\u00eb koh\u00eb m\u00eb von\u00eb, rreth tridhjet\u00eb vjet pas Luft\u00ebs s\u00eb Dyt\u00eb Bot\u00ebrore, t\u00eb krijoheshin kushte q\u00eb Shqip\u00ebria t\u00eb thoshte se kam dijetar\u00eb n\u00eb nivel akademik\u00ebsh.<\/p>\n<p>Por le t\u00eb vijm\u00eb m\u00eb pas, pra sot. Historia e k\u00ebtyre tri dekadave t\u00eb fundit flet kund\u00ebr p\u00ebrthithjes burokratike q\u00eb d\u00ebshirojn\u00eb t\u00eb realizojn\u00eb k\u00ebto dit\u00eb. A kan\u00eb argumente p\u00ebr t\u00eb votuar p\u00ebr k\u00ebt\u00eb \u201cp\u00ebrthithje\u201d, p\u00ebr t\u00eb heshtur ndaj saj, a p\u00ebr t\u00eb \u201cluajtur me dy porta\u201d, ata akademik\u00eb q\u00eb s\u00eb paku prej 15 a m\u00eb shum\u00eb vitesh kan\u00eb shk\u00eblqyer n\u00eb pun\u00ebn tyre, me veprat e tyre t\u00eb m\u00ebdha a t\u00eb vogla, duke pas qen\u00eb studiues brenda atyre instituteve t\u00eb albanologjis\u00eb q\u00eb duan t\u2019i shkrijn\u00eb sot?  A mundet vall\u00eb t\u00eb jen\u00eb bind\u00ebs ata kur pranojn\u00eb, aq m\u00eb keq, k\u00ebrkojn\u00eb shkrirjen e institucioneve ku kan\u00eb shkrir\u00eb dijet dhe mundin e tyre, kan\u00eb shkrir\u00eb talentin e tyre drejtues, pa th\u00ebn\u00eb ndonj\u00ebher\u00eb: \u201cShikoni, k\u00ebtu nuk punohet!\u201d Apo t\u00eb thon\u00eb: \u201cAlbanologjia ose instituti q\u00eb drejtoj, ka nevoj\u00eb t\u00eb drejtohet nga asambleja e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave ku ve\u00e7 tyre ka!!! A mund t\u00eb jet\u00eb i besuesh\u00ebm n\u00eb argumente dikush q\u00eb kur del n\u00eb pension, integrohet personalisht diku gjetk\u00eb, dhe d\u00ebshiron ta marr\u00eb pas vetes, me vete, institucionin q\u00eb dikur ka drejtuar?<\/p>\n<p>K\u00ebtu m\u00eb lejoni shkarazi t\u00eb shpreh edhe nj\u00eb habi t\u00eb madhe. Ministrat n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb bot\u00ebn, dhe n\u00eb historin\u00eb e shtetit shqiptar, e kan\u00eb t\u00eb natyrshme t\u2019i mbajn\u00eb brenda sistemit q\u00eb ata drejtojn\u00eb agjenci dhe institucione t\u00eb ndryshme q\u00eb n\u00eb nj\u00eb far\u00eb m\u00ebnyre i kan\u00eb pasur n\u00eb var\u00ebsi. Kurse ministrja e arsimit me an\u00eb t\u00eb k\u00ebtij projekt vkm-je k\u00ebrkon t\u2019i nxjerr\u00eb jasht\u00eb sistemit t\u00eb saj institutet e albanologjis\u00eb!!! Kuptohet se n\u00eb \u00e7far\u00eb presioni duhet t\u00eb ndodhet ajo p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrmarr\u00eb k\u00ebt\u00eb veprim.<\/p>\n<p>N\u00eb relacionin bashk\u00ebshoq\u00ebrues t\u00eb projekt \u2013 vkm t\u00eb p\u00ebrgatitur nga Ministria e Arsimit, sikurse Ju shkrova, krejt t\u00eb varf\u00ebr dhe mediok\u00ebr, gjen \u00e7udira q\u00eb nuk mundet ve\u00e7se t\u00eb shkaktojn\u00eb habi. Vet\u00ebm argumente nuk ka aty. Pohohet e zez\u00eb mbi t\u00eb bardh\u00eb se p\u00ebrderisa tre projektet e m\u00ebdha t\u00eb albanologjis\u00eb, pra rishkrimi i nj\u00eb historie, fjalori i enciklopedis\u00eb shqiptare, fjalori i gjuh\u00ebs shqipe, administrohen si t\u00eb till\u00eb nga Akademia e Shkencave, at\u00ebher\u00eb edhe institutet e albanologjis\u00eb duhet t\u00eb shkojn\u00eb atje ku jan\u00eb vendosur k\u00ebta projekte!!! Nj\u00eb arsyetim t\u00eb till\u00eb mund ta fabrikojn\u00eb vet\u00ebm nxitje jasht\u00eb shkencore, vet\u00ebm pasionet pa logjik\u00eb mund ta b\u00ebjn\u00eb mendjen e gjithkujt t\u00eb devijoj\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb nga udha e t\u00eb arsyeshmes. Si duhet? T\u00eb \u201cshkojn\u00eb\u201d projektet te institucionet q\u00eb kan\u00eb kompetenc\u00ebn, energjin\u00eb dhe aft\u00ebsit\u00eb shkencore p\u00ebr t\u2019i trajtuar dhe kuror\u00ebzuar ata me sukses, apo t\u00eb shkojn\u00eb institucionet atje ku jan\u00eb projektet? Sigurisht q\u00eb \u00e7do njeri i arsyesh\u00ebm do t\u00eb thoshte se \u00ebsht\u00eb alternativa e par\u00eb dhe jo e dyta q\u00eb ja vlen t\u00eb ndiqet.<\/p>\n<p>Ku ja vlen t\u00eb realizohet fjalori, enciklopedia, historia? N\u00eb institutet dhe departamentet p\u00ebrkat\u00ebse, apo n\u00eb nj\u00eb institucion q\u00eb drejtohet nga nj\u00eb asamble, me an\u00ebtar\u00eb t\u00eb nderuar ndofta, por ku shumica e tyre nuk ka lidhje shkencore me secilin nga projektet n\u00eb fjal\u00eb, pra nuk ka lidhje me historin\u00eb, ose me gjuh\u00ebsin\u00eb, ose me enciklopedin\u00eb. Madje po ndodh, zoti Kryeminist\u00ebr q\u00eb projektin e madh t\u00eb fjalorit t\u00eb enciklopedis\u00eb ta drejtojn\u00eb edhe persona q\u00eb nuk kan\u00eb kurrfar\u00eb kompetencash shkencore n\u00eb konceptimin dhe realizimin e enciklopedive!!! P\u00ebr m\u00eb tep\u00ebr, e gjitha kjo b\u00ebhet duke Ju p\u00ebrmendur Ju, duke abuzuar me emrin Tuaj, duke goditur me autoritetin Tuaj \u00e7dok\u00ebnd q\u00eb guxon t\u00eb hap\u00eb dialog alternativ, apo m\u00eb keq, t\u00eb kritikoj\u00eb m\u00ebnyr\u00ebn si po veprohet.<\/p>\n<p>Un\u00eb e mir\u00ebkuptoj vendimin sipas t\u00eb cilit Ju i besuat Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave kuror\u00ebzimin me sukses t\u00eb tre projekteve t\u00eb m\u00ebdha t\u00eb p\u00ebrmendura m\u00eb sip\u00ebr. Por, n\u00eb zbatimin e k\u00ebsaj detyre, p\u00ebr t\u00eb justifikuar k\u00ebt\u00eb besim, Akademia e Shkencave, sikurse ja k\u00ebrkon edhe ligji, duhej t\u00eb nd\u00ebrtonte partneritete institucionale dinamike me t\u00eb gjitha institutet e albanologjis\u00eb dhe departamentet p\u00ebrkat\u00ebse, duke planizuar pun\u00ebn, p\u00ebrpunuar platforma teorike dhe metodologjike, etj. Gjith\u00e7ka do t\u00eb duhej t\u00eb realizohej n\u00ebp\u00ebrmjet nj\u00eb bashk\u00ebveprimi nd\u00ebrinstitucional. N\u00eb vend t\u00eb k\u00ebsaj, shok pas shoku, mik pas miku, p\u00ebr t\u00eb p\u00ebrballuar projektet e m\u00ebdha p\u00ebr t\u00eb cilat flitet, jan\u00eb afruar individ\u00eb t\u00eb ndrysh\u00ebm, duke e par\u00eb angazhimin e tyre si nj\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnie krejt\u00ebsisht individuale t\u00eb tyre me Akademin\u00eb e Shkencave. Pa mohuar aspak meritat personale t\u00eb ndokujt, kjo m\u00ebnyr\u00eb pune mendoj se ka shkar\u00eb drejt nj\u00eb \u201cmarr\u00ebdh\u00ebnie\u201d mes t\u00eb besuarish, ndonj\u00ebher\u00eb edhe midis miqsh, por n\u00eb \u00e7do rast \u00ebsht\u00eb realizuar n\u00eb nj\u00eb marr\u00ebdh\u00ebnie t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave me individ\u00eb t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb.<\/p>\n<p>Edhe Akademia e Studimeve Albanologjike nuk \u00ebsht\u00eb treguar, sipas meje, proaktive, nj\u00ebsoj si kryesia e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, p\u00ebr t\u00eb krijuar nj\u00eb bashk\u00ebveprim institucional n\u00eb realizimin e tre projekteve t\u00eb m\u00ebdha t\u00eb albanologjis\u00eb. As Ministria e Arsimit nuk m\u00eb duket se e ka vendosur aq ujin n\u00eb zjarr p\u00ebr t\u00eb qen\u00eb nj\u00eb faktor leht\u00ebsues n\u00eb k\u00ebt\u00eb bashk\u00ebveprim institucional t\u00eb d\u00ebshtuar. i ka q\u00ebndruar larg realizimit t\u00eb k\u00ebtyre detyrave t\u00eb r\u00ebnd\u00ebsishme. Dhe si p\u00ebrgjigje, ajo e gjen m\u00eb t\u00eb leht\u00eb t\u00eb b\u00ebj\u00eb m\u00eb t\u00eb gabuar\u00ebn, sikurse dihet q\u00eb ndodh, pra t\u00eb sjell\u00eb mbi tavolin\u00ebn tuaj nj\u00eb tekst vkm mediok\u00ebr dhe t\u00eb pa bazuar n\u00eb asnj\u00eb argument shkencor.<\/p>\n<p>Mbetet i dob\u00ebt dhe pa fuqi edhe argumenti tjet\u00ebr q\u00eb Ministria e Arsimit ka hedhur n\u00eb relacionin q\u00eb shoq\u00ebron projekt vkm. B\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr at\u00eb argument q\u00eb pretendon se nuk paska pun\u00eb tjet\u00ebr p\u00ebr institutet e albanologjis\u00eb sesa t\u00eb merren me p\u00ebrpilimin e historis\u00eb t\u00eb shqiptar\u00ebve, me fjalorin e gjuh\u00ebs shqipe, si edhe me fjalorin e enciklopedin\u00eb shqiptare!!! Sigurisht q\u00eb k\u00ebta jan\u00eb projekte t\u00eb m\u00ebdha, t\u00eb cilat duhen realizuar me sukses, por, jo si i kan\u00eb nisur. \u00cbsht\u00eb pezmatuese kur konstaton se \u00e7far\u00eb koncepti kan\u00eb p\u00ebr k\u00ebrkimin shkencor ai, ose ata, q\u00eb kan\u00eb p\u00ebrdorur k\u00ebt\u00eb lloj argumenti. K\u00ebrkimi shkencor n\u00eb albanologji duhet patjet\u00ebr t\u00eb p\u00ebrballoj\u00eb detyrat q\u00eb vijn\u00eb nga realizimi i tre projekteve n\u00eb fjal\u00eb, por kurrsesi nuk mund t\u00eb p\u00ebrkufizohet me to, as t\u00eb kufizohet me to. Tjet\u00ebr jan\u00eb k\u00ebrkimet shkencor\u00eb n\u00eb fush\u00ebn e gjuh\u00ebsis\u00eb, let\u00ebrsis\u00eb, antropologjis\u00eb, historis\u00eb, etnografis\u00eb, etj., dhe tjet\u00ebr vendosja dhe botimi i k\u00ebtyre rezultateve n\u00eb form\u00ebn e duhur n\u00eb fjalor\u00eb ose botime t\u00eb k\u00ebsaj natyre. Nuk ka k\u00ebrkues shkencor q\u00eb t\u00eb mos ta dij\u00eb k\u00ebt\u00eb; at\u00eb e kan\u00eb harruar ata q\u00eb kan\u00eb dekada q\u00eb kan\u00eb braktisur fush\u00ebn e dijes dhe t\u00eb k\u00ebrkimit shkencor. Nuk e din\u00eb as burokrat\u00ebt q\u00eb formulojn\u00eb dokumente pa ditur gj\u00eb nga fusha q\u00eb ato dokumente duhet t\u00eb rregullojn\u00eb administrativisht. Dalloj qysh tani dor\u00ebn e lir\u00eb q\u00eb do t\u2019u lihet epror\u00ebve t\u00eb shkenc\u00ebs p\u00ebr t\u2019u th\u00ebn\u00eb dijetar\u00ebve dhe k\u00ebrkuesve shkencore: \u201cPa i lini nj\u00eb \u00e7ik\u00eb, ato k\u00ebrkimet tuaja arkivore, pa i lini nj\u00eb \u00e7ik\u00eb ato hartimet e monografive, ato ekspedita, etj! Merruni vet\u00ebm me shkrimin e z\u00ebrave t\u00eb projekteve n\u00eb fjal\u00eb!\u201d Ai, ajo, ata q\u00eb kan\u00eb shkruar k\u00ebt\u00eb argument harrojn\u00eb se nj\u00eb dijetar b\u00ebhet i aft\u00eb t\u00eb p\u00ebrmbledh\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb sintetike rezultatet e pun\u00ebs s\u00eb vet shkencore, vet\u00ebm pasi ka zhvilluar me vite dhe vazhdon t\u2019i thelloj\u00eb k\u00ebrkimet e tij t\u00eb thelluara, fondamentale, t\u00eb gjithanshme, shum\u00eb m\u00eb t\u00eb gj\u00ebra se hartimi i z\u00ebrave n\u00eb fjalor\u00eb dhe enciklopedi. K\u00ebrkoni t\u2019Ju informojn\u00eb, i nderuar zoti Kryeminist\u00ebr: Fjalori i ri po hartohet n\u00ebp\u00ebrmjet materialeve burimore q\u00eb sjellin ekspedita t\u00eb reja studimore n\u00eb terren, pra nga prurje t\u00eb reja gjuh\u00ebsore, t\u00eb ardhura si rezultat i hulumtimeve t\u00eb reja t\u00eb leksikut t\u00eb fjal\u00ebve, apo po \u201cp\u00ebrtypen\u201d ato t\u00eb dh\u00ebna, pra p\u00ebrdoret ai fond leksikor, q\u00eb p\u00ebrb\u00ebn baza t\u00eb dh\u00ebnash tashm\u00eb t\u00eb arkivuara?<\/p>\n<p>P\u00ebrthithja brutale e instituteve t\u00eb albanologjis\u00eb brenda struktur\u00ebs t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, i nderuar zoti Kryeminist\u00ebr, do t\u00eb krijoj\u00eb nj\u00eb hierarki institucionale midis k\u00ebrkuesit shkencor q\u00eb b\u00ebn pun\u00ebn, pra atij q\u00eb e l\u00ebvron shkenc\u00ebn albanologjike, dhe t\u00eb gjith\u00eb ngrehin\u00ebs vertikale, nj\u00eb superstrukture q\u00eb do t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb me hir a me pahir mbi t\u00eb. Jan\u00eb s\u00eb paku shtat\u00eb \u201ckate\u201d q\u00eb do t\u00eb r\u00ebndojn\u00eb mbi k\u00ebrkuesin shkencor dhe frytin e pun\u00ebs s\u00eb tij t\u00eb mundimshme: departamenti, k\u00ebshilli shkencor i institutit p\u00ebrkat\u00ebs, seksioni i Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave s\u00eb bashku me komisionin p\u00ebrkat\u00ebs, asambleja dhe mbi t\u00eb gjith\u00eb, maja e piramid\u00ebs, kryesia dhe kryetari i Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave. Sot, kur e gjith\u00eb bota e qytet\u00ebruar ka kaluar n\u00eb nj\u00eb autonomi dhe liri k\u00ebrkimi shkencor bazuar n\u00eb uljen drastike t\u00eb shkall\u00ebs hierarkike midis k\u00ebrkuesit shkencor q\u00eb ndodhet p\u00ebrball\u00eb objektit t\u00eb k\u00ebrkimit shkencor dhe drejtimit institucional t\u00eb agjencis\u00eb ku ai b\u00ebn pjes\u00eb, ka individ\u00eb n\u00eb Shqip\u00ebri, t\u00eb m\u00ebsuar me nj\u00eb hierarki institucionale patologjike, q\u00eb na detyrojn\u00eb ende, i detyrojn\u00eb albanolog\u00ebt edhe sot, Ju vendosin edhe Ju, p\u00ebrball\u00eb pranimit t\u00eb nj\u00eb hierarkie n\u00eb rritje, q\u00eb abuzon me financat, shfryn furtuna autoritarizmi, nxit parazitizmin e nj\u00eb burokracie t\u00eb shtuar n\u00eb ekstrem, dhe mbi t\u00eb gjitha pengon, ngadal\u00ebson, than dhe centralizon mendimin shkencor, duke tentuar unifikimin e tij burokratik.<\/p>\n<p>Un\u00eb vendos p\u00ebrpara Jush, zoti Kryeminist\u00ebr, rrezikun eminent q\u00eb ka t\u00eb b\u00ebj\u00eb edhe me degradimin demografik t\u00eb k\u00ebrkuesve shkencor\u00eb n\u00eb fush\u00ebn e albanologjis\u00eb, dhe jo vet\u00ebm. Duke i vendosur institutet e albanologjis\u00eb, si t\u00eb till\u00eb, ose aq m\u00eb keq, n\u00eb form\u00ebn rudimentare t\u00eb nj\u00ebsive t\u00eb studim-k\u00ebrkimit (term pa asnj\u00eb kuptim n\u00eb peizazhin evropian t\u00eb k\u00ebrkimit shkencor) n\u00ebn tutel\u00ebn e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, ne rrezikojm\u00eb q\u00eb studiuesit e albanologjis\u00eb, me nj\u00eb mosh\u00eb mesatare t\u00eb admirueshme p\u00ebr k\u00ebrkim shkencor n\u00eb terren, t\u2019i vendosim n\u00ebn \u201chyqmin\u201d e akademik\u00ebve q\u00eb kan\u00eb nj\u00eb mosh\u00eb mesatare mbi shtat\u00ebdhjet\u00eb vje\u00e7 e lart. Ne, besoj un\u00eb, jemi t\u00eb nj\u00eb mendjeje q\u00eb albanologjia e re shqiptare duhet t\u00eb bazohet te nj\u00eb struktur\u00eb moshore t\u00eb re, jo e vjetruar, q\u00eb krahas sharmit t\u00eb nj\u00eb men\u00e7urie t\u00eb mbledhur n\u00eb vite, vuan sigurisht edhe nga stereotipe, dogma t\u00eb ngurt\u00ebsuara, ideologjizime q\u00eb brezat kan\u00eb p\u00ebsuar gjat\u00eb historis\u00eb s\u00eb pasur, por edhe t\u00eb dhimbshme shqiptare. N\u00eb vend t\u2019i \u00e7lirojm\u00eb studiuesit e rinj q\u00eb ta mendojn\u00eb albanologjin\u00eb m\u00eb fresk\u00ebt, me gjall\u00ebri dhe metoda t\u00eb reja, ne po i fusim ata k\u00ebshtu n\u00ebn \u201chyqmin\u201d e drejtuesve t\u00eb p\u00ebrjetsh\u00ebm, q\u00eb e kan\u00eb shkruar nj\u00ebher\u00eb historin\u00eb, let\u00ebrsin\u00eb, gjuh\u00ebn, etnologjin\u00eb shqiptare, e kan\u00eb tentuar nj\u00ebher\u00eb fatin e tyre, dhe tani me egoiz\u00ebm, q\u00eb nganj\u00ebher\u00eb na kap edhe ne studiuesve, duan ta rishkruajn\u00eb edhe nj\u00ebher\u00eb nga e para po ata vet\u00eb at\u00eb q\u00eb e kan\u00eb shkruar nj\u00eb her\u00eb. Imagjinoni \u00e7far\u00eb \u201cfrenash\u201d do t\u00eb ket\u00eb n\u00ebn rrotat e pun\u00ebs t\u00eb k\u00ebrkuesve t\u00eb brezit t\u00eb ri n\u00eb k\u00ebt\u00eb fush\u00eb!<\/p>\n<p>Duke p\u00ebrthithur institutet e albanologjis\u00eb nga Akasemia e Shkencave, nuk shkat\u00ebrrojm\u00eb vet\u00ebm k\u00ebto struktura shkencore q\u00eb kan\u00eb ekzistuar shum\u00eb p\u00ebrpara sesa ideja e nj\u00eb Akademia Shkencash, si ndihm\u00ebse e partis\u00eb, t\u00eb lindte n\u00eb mendjen e Enver Hoxh\u00ebs. N\u00eb m\u00ebnyr\u00eb sa dramatike, aq edhe komike, drejtuesit e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, po shkojn\u00eb drejt tharjes t\u00eb vet\u00eb k\u00ebsaj Akademie Shkencash. Kryesia e sotme e k\u00ebsaj Akademie nuk ka pasur fatkeq\u00ebsisht asnj\u00eb imagjinat\u00eb t\u00eb sh\u00ebndosh\u00eb p\u00ebr t\u00eb vendosur n\u00eb zbatim ligjin n\u00eb fuqi p\u00ebr Akademin\u00eb e Shkencave. Vepron n\u00eb kund\u00ebrshtim me at\u00eb ligj, pra edhe k\u00ebrkon me ngulm dhe shpejt\u00ebsi ta ndryshoj\u00eb at\u00eb, ta marr\u00eb n\u00ebp\u00ebr k\u00ebmb\u00eb. E shumta q\u00eb b\u00ebn deri sot kjo Akademi Shkencash, fatkeq\u00ebsisht, gabimisht, jan\u00eb veprimtari ndihm\u00ebs shkencore q\u00eb \u00e7do institut shkencor i zakonsh\u00ebm i ka n\u00eb periferin\u00eb e v\u00ebmendjes p\u00ebr t\u2019i kryer. N\u00eb konceptimet e sotme t\u00eb Kryesis\u00eb t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, lind pyetja se \u00e7far\u00eb do t\u00eb b\u00ebj\u00eb kjo Akademi, mbi t\u00eb gjitha asambleja e saj, kur institutet do t\u00eb jen\u00eb brenda struktur\u00ebs t\u00eb atij institucioni? Nuk i mbetet sipas konceptit q\u00eb zbatohet sot nga kryesia e saj asgj\u00eb p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb.<\/p>\n<p>Akademia e Shkencave nuk \u00ebsht\u00eb kryesia e saj, por asambleja e saj. Ka kuptim ai institucion vet\u00ebm n\u00ebse kuptohet si forumi i akademik\u00ebve q\u00eb vepron si nj\u00eb bashk\u00ebsi e men\u00e7ur. Por, sikurse shkruante nj\u00ebqind vjet m\u00eb par\u00eb mendimtari i shkenc\u00ebs, por edhe i psikologjis\u00eb s\u00eb turmave, Gustav Le Bon, edhe nj\u00eb bashk\u00ebsi akademik\u00ebsh jasht\u00eb fush\u00ebs s\u00eb tyre t\u00eb kompetencave shkencore, nuk \u00ebsht\u00eb ve\u00e7se nj\u00eb turm\u00eb, si \u00e7do turm\u00eb q\u00eb n\u00eb rrug\u00eb e sheshe udh\u00ebhiqet nga interesa personale, nga dogma propagandistike, nga pasione t\u00eb \u00e7astit t\u00eb ushqyera me d\u00ebshir\u00eb p\u00ebr pushtet. Pse e them k\u00ebt\u00eb? Supozojm\u00eb q\u00eb ta zem\u00eb instituti q\u00eb merret me studime n\u00eb fush\u00ebn e antropologjis\u00eb dhe etnologjis\u00eb futet n\u00eb strukturat e akademis\u00eb. Sa antropolog\u00eb dhe etnolog\u00eb ka n\u00eb asamble? Po themi dy ose tre. T\u00eb tjer\u00ebt n\u00eb k\u00ebto fusha, jemi si \u201cturm\u00eb\u201d q\u00eb nuk kupton thell\u00ebsin\u00eb dhe risit\u00eb e shkenc\u00ebs p\u00ebrkat\u00ebse. Jemi ne, inxhinier\u00eb, matematikan\u00eb, fizikan\u00eb, kimist\u00eb, arkeolog\u00eb, biolog\u00eb, sizmolog\u00eb, informaticien\u00eb, gjuh\u00ebtar\u00eb, filozof\u00eb,  , q\u00eb kuptojm\u00eb nga fushat e p\u00ebrmendura po aq sa kupton \u00e7do njeri me shkoll\u00eb t\u00eb lart\u00eb nga nj\u00eb fush\u00eb pasi ka lexuar di\u00e7ka p\u00ebr t\u00eb n\u00eb \u00cbikipedia. K\u00ebshtu pretendon asambleja e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave t\u2019i drejtoj\u00eb institutet shkencore q\u00eb d\u00ebshiron t\u2019i p\u00ebrthith\u00eb? Ja arsyeja se p\u00ebrse nj\u00eb model si ky q\u00eb propozohet n\u00eb projekt vkm \u00ebsht\u00eb e v\u00ebshtir\u00eb, pothuajse e pamundur, ta gjesh n\u00eb vendet m\u00eb t\u00eb p\u00ebrparuara shkencore, n\u00eb ShBA dhe n\u00eb Evrop\u00ebn Per\u00ebndimore. Duke e nxjerr\u00eb jasht\u00eb loje asamblen\u00eb e Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave, kjo p\u00ebrthithje nuk do t\u00eb b\u00ebj\u00eb gj\u00eb tjet\u00ebr ve\u00e7se do t\u2019i vendos\u00eb k\u00ebto institute, si b\u00ebrthama studim-k\u00ebrkimi (???), n\u00ebn pushtetin absolut t\u00eb kryetarit t\u00eb Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave. Sikurse po ndodh sot me nj\u00ebsit\u00eb e studim \u2013 k\u00ebrkimit q\u00eb jan\u00eb ngritur si duplikate t\u00eb zbehta, shum\u00eb t\u00eb zbehta, t\u00eb departamenteve dhe instituteve q\u00eb ekzistojn\u00eb tashm\u00eb n\u00eb vend.<\/p>\n<p>Zoti kryeminist\u00ebr,<\/p>\n<p>shekuj na shohin sot!<\/p>\n<p>Ju shohin Ju me pend\u00eb n\u00eb dor\u00eb.<\/p>\n<p>Do t\u2019i jepet derma albanologjis\u00eb, apo do t\u00eb mbi jetoj\u00eb ajo?<\/p>\n<p>Un\u00eb nuk e kam zakon t\u00eb lutem. Por, n\u00ebse kjo do ta leht\u00ebsonte sadopak presionin mbi Ju nga ana e atij teksti projekt vkm-je, dhe lobive jasht\u00eb-shkencore q\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb pas tij, un\u00eb pa asnj\u00eb hezitim p\u00ebr her\u00eb t\u00eb par\u00eb po Ju lutem: Mos e firmosni Ju lutem at\u00eb pa\u00e7avure burokrat\u00ebsh t\u00eb etur p\u00ebr pushtet! D\u00ebgjoni Ju lutem z\u00ebrin e intelektual\u00ebve pa etje pushtet q\u00eb po th\u00ebrrasin p\u00ebr ndihm\u00eb, mb\u00ebshtetje dhe trajtim t\u00eb drejt\u00eb, mos ua vini veshin thirrjeve t\u00eb atyre q\u00eb duan pushtet me \u00e7do kusht; lutem q\u00eb n\u00ebse ne t\u00eb gjall\u00ebt nuk jemi aq t\u00eb lart\u00eb sa t\u00eb peshojm\u00eb mbi pend\u00ebn Tuaj, d\u00ebgjoni t\u00eb vdekurit ose t\u00eb ardhshmit e pa-lindur akoma q\u00eb po e ndjekin pend\u00ebn Tuaj, Ju shohin dhe Ju flasin sot!<\/p>\n<p>Duke Ju fal\u00ebnderuar p\u00ebr mund\u00ebsin\u00eb q\u00eb m\u00eb dhat\u00eb t\u2019i lexoni argumentet e mia, un\u00eb Ju siguroj se informacionet q\u00eb Ju vin\u00eb institucionalisht p\u00ebr \u00e7far\u00eb kam shkruar m\u00eb sip\u00ebr jan\u00eb t\u00eb cunguara, jan\u00eb t\u00eb censuruara, pra nuk pasqyrojn\u00eb larmin\u00eb e mendimeve t\u00eb albanolog\u00ebve dhe studiuesve t\u00eb tjer\u00eb n\u00eb universitete, nuk jan\u00eb ato q\u00eb me plot\u00ebsin\u00eb e tyre do t\u00eb kishin qen\u00eb t\u00eb denja p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb mbi vete pend\u00ebn e n\u00ebnshkrimit t\u00eb nj\u00eb Kryeministri shqiptar n\u00eb dekad\u00ebn e tret\u00eb t\u00eb shekullit XXI!<\/p>\n<p>D\u00ebgjojini Ju lutem z\u00ebrin e men\u00e7ur t\u00eb albanolog\u00ebve shqiptar\u00eb! Ata nuk e flasin gjuh\u00ebn e politik\u00ebs, nuk kan\u00eb q\u00ebllime politike.<\/p>\n<p>Un\u00eb, personalisht, q\u00ebndroj n\u00eb dispozicion Tuaj p\u00ebr \u00e7do nevoj\u00eb q\u00eb paraqitet p\u00ebr nj\u00eb raport t\u00eb thelluar dhe mb\u00ebshtetur n\u00eb fakte t\u00eb detajuara!<\/p>\n<p>Me respekt,<\/p>\n<p>Artan Fuga<\/p>\n<p>Profesor doktor n\u00eb Universitetin e Tiran\u00ebs<\/p>\n<p>An\u00ebtar i Akademis\u00eb s\u00eb Shkencave<\/p>\n<p>Doktor n\u00eb filozofi n\u00eb Universitetin e Tiran\u00ebs<\/p>\n<p>Doktor n\u00eb shkencat e Komunikimit dhe Informimit n\u00eb Universitetin Panth\u00e9on- Sorbonne, Paris II, Franc\u00eb<\/p>\n<p>Doktor i Habilituar p\u00ebr drejtim shkencor n\u00eb Universitetin Paris X, Franc\u00eb<\/p>\n<p>K\u00ebrkues shkencor i asociuar n\u00eb Qendr\u00ebn Komb\u00ebtare t\u00eb K\u00ebrkimit Shkencor, Franc\u00eb<\/p>\n<p>I dekoruar \u201cMjesht\u00ebr i Madh\u201d n\u00eb Shqip\u00ebri dhe me Palm\u00ebn e Art\u00eb Akademike nga kryeministri, Franc\u00eb.<\/p>\n<p>Pedagog i asociuar n\u00eb ITSMI, Franc\u00eb<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Akademiku, Artan Fuga, i ka d\u00ebrguar nj\u00eb let\u00ebr kryeministrit Rama ku i k\u00ebrkon t\u00eb mos e firmos\u00eb VKM-n\u00eb e p\u00ebrgatitur nga Ministria e Arsimit p\u00ebr shkrirjen e Akademis\u00eb s\u00eb Studimeve Albanologjike. N\u00eb shtat\u00eb faqe let\u00ebr, akademiku Fuga rendit arsyet se p\u00ebrse institutet e albanologjis\u00eb, bashk\u00eb me to edhe Akademia t\u00eb mos kalojn\u00eb n\u00eb var\u00ebsi t\u00eb [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":2037,"featured_media":323286,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[241,364,5380,231,1454,235],"tags":[],"class_list":{"0":"post-323282","1":"post","2":"type-post","3":"status-publish","4":"format-standard","5":"has-post-thumbnail","7":"category-aktualitet","8":"category-koment-opinion","9":"category-kryesore","10":"category-lajme","11":"category-politike","12":"category-vendi"},"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/323282","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/users\/2037"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=323282"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/323282\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":323287,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/323282\/revisions\/323287"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media\/323286"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=323282"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=323282"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/zjarr.tv\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=323282"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}