Starton në Apple Store, aplikacioni “Diaspora Shqiptare”

0
1

“Starton në Apple Store, aplikacioni i parë informues ‘Diaspora Shqiptare’, deklaron ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, duke shtuar se shqiptarët për herë të parë kanë hapësirë virtuale.

Ministri i Diasporës, Majko shprehet se prej ditës së sotme të gjithë shqiptarët kudo gjenden kanë mundësi të njihen në kohë reale me gjithçka ndodh në Diasporën Shqiptare.

“Kjo, falë aplikacionit më të ri ‘Diaspora Shqiptare’, i cili prej ditës së sotme gjendet falas në dyqanet virtuale”, sqaron ai.

Po ashtu ai shpjegon se “synimi i këtij aplikacioni është që të ofrojë informacion të plotë për gjithçka ndodh në Diasporë, të pasqyrojë aktivitetet e komunitetit shqiptar në çdo vend e mbi të gjitha të jetë pikë referimi për të gjithë shqiptarët kudo janë. Aplikacioni “Diaspora Shqiptare” do të jetë një platformë aktive për të gjithë veprimtarinë e Këshillit Koordinues të Diasporës, i cili përbëhet nga 15 përfaqësues të komunitetit shqiptar në botë”.

“Nëpërmjet këtij aplikacioni do të vijnë te ju lajme, analiza, ide, sugjerime dhe komente lidhur me realitetin shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mjafton vetëm ta shkarkoni atë në telefonin tuaj, të regjistroheni me një adresë e-mail-i, të vendosni një fjalë kyçëse dhe brenda pak minutash do të jeni përdorues i tij. Nëpërmjet kategorive të përzgjedhura mund të gjeni informacionin që ju nevojitet: aktualitet, histori suksesi në fusha të ndryshme, kulturë, sport etj. Ai është i ndarë sipas shteteve, ku lexuesi mund të përzgjedhë të lexojë vetëm lajmet, nga një ose disa shtete të caktuara” shton ai.

Gjithashtu, Majko shprehet se “ajo çka e bën të veçantë këtë aplikacion është fakti se për herë të parë shqiptarët kanë një hapësirë virtuale të përbashkët ku mund të informohen për gjithçka ndodh në komunitetin shqiptar anë e mbanë botës”.