Bizneset shqiptare që janë transparente me administratën doganore kanë mundësinë të marrin një status “vip”, apo i quajtur në gjuhën zyrtare status i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OAE) i cili do të lehtësonte ndjeshëm tregtinë, por që sipërmarrjet nuk kanë shfaqur interes dhe nuk kanë aplikuar. Për këtë, Ministria e Financave ia faturon fajin doganave.
Ndërsa përfaqësues të doganave shprehen se e kanë bërë punën e tyre dhe kanë informuar bizneset lidhur me përfitimet që do të kenë, por aplikimet mungojnë pasi sipërmarrja është skeptike.
Në mbledhjen e gjashtë të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë u adresuan një sërë problematikash, dhe bizneset kërkuan që të përgatitet një paketë e plotë me propozime dhe zgjidhje konkrete në mënyrë që me marrjen e drejtimit të CEFTA-s në Janar të 2019, të mund të adresohen.