Ish-kryeministri Sali Berisha foli mbrëmjen e sotme për strategjinë e protestave të opozitës. Berisha u shpreh se strategjia e protestës ka ndryshuar duke përmendur disa kategori të pakënaqura.
Në emisionin “Open”, Berisha foli edhe për kontrabandën e naftës duke e cilësuar atë si shkelje të qeverisë që bëhet me lejen e kryeministrit Edi Rama.
“Strategjia e protestës po ndryshon. Do ketë protesta të tjera. Jemi me teorinë që mbështesim çdo kauzë të drejtë. Është shpërthyese gjendja e biznesit të vogël. Është shpërthyese gjendja e arsimtarëve. Protesta e pedagogëve vazhdon fuqishëm dhe do të vazhdojë. Nuk ka mësim. Rektori është militant i pakorrigjueshëm. Ai mund të jetë me 6 burime rroge. Ai nuk pyet për probleme të tjera. Unë i kam me fakte këto.
A po ndodh me çmimet kund në botë kjo që ndodh me shqiptarët. Kush e blen naftën si shqiptarët. Këto janë të dhëna zyrtare. Në vitin 2012 zhdoganimi ka qenë 730 mijë ton. Sot është 500 mijë ton kur automjetet kanë kaluar në 720 mijë. Nafta nga Libia është zinxhir kontrabande. E bën vetë qeveria. Kontrabandë nafte nuk mund të bëjë kush përveç qeverisë. Qeveria merr fitimin. Ndajnë paratë qeveritarët me ta. Pa lejen e kryeministrit në asnjë mënyrë nuk bëhet. Nafta vjen me anije. Nafta është ligj që bëhet me bekimin e qeverisë.
Janë kapur me dhjetëra herë peshkarexhat. Vijnë nga Libia ato. Është e njohur. E kontrollon personalisht ai. Të jem unë kryeministër dhe ta kem pasur konsumin 720 në vitin 2012 dhe ta kem sot 500 mijë ton me më shumë automjete jam duke e bërë vetë. Ndryshe nuk ndodh kurrë”, deklaroi Berisha.