Studentët/ Afat deri të martën, ose protesta më e “tmerrshme” e historisë

0
100
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ashtu siç paralajmëruan, studentët do të vazhdojnë protestën e tyre nën moton “Dhjetori i Dytë” edhe sot. Në rrjetet sociale, që janë edhe “zemra” e kësaj proteste, studentët publikuan axhendën e tyre. Studentët i kanë vendosur si afat të fundit Ministrisë së Arsimit, ditën e martë, kur duhet të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.

 

E sotmja, do të jetë dita e 5-të e protestave të studentëve për të drejtat e tyre, teksa ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për mos politizim të tubimit. Sipas tyre ka pasur tentativa nga disa grupe për t’i përçarë, ndaj kanë hedhur disa ide.  “Jemi të gjithë të bashkuar. Do i kërkojmë ministrisë dhe qeverisë të njëjtat kërkesa me 8 pika. Deri të martën është ultimatumi. Nëse nuk plotësohen, të martën do jetë protesta më masive që keni parë ndonjëherë”, u shpreh një prej studentëve për mediat.

Ata kërkojnë që mos ketë një drejtues, por organizimi të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e dyta që të bëhen të dallueshëm nga grupe politike propozojnë që të mbajnë në dorë një shami të kuqe. Edhe “Lëvizja për Universitetin” bën thirrje që politika të qëndrojë larg studentëve.

“Studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t’i përçarë. Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Studentët nuk kanë ndërmend të tërhiqen edhe pas refuzimit që i bën dje ministres Lindita Nikolla, e cila hyri mes turmës për të komunikuar me ta, por u refuzua, pasi studentët nuk kërkojnë negociata por vetëm plotësim të kushteve.

ZJARR TV RENDIT KËRKESAT E PLOTA TË STUDENTËVE

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
1. Përgjysmim i tarifës së studimi
2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.
5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.
6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.
7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.
8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019. Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilli Studentor.

 

Zjarr Tv Ad