Sudan, largohet ish-udhëheqësi i puçit

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kreu i këshillit ushtarak të Sudanit ka dhënë dorëheqjen dy ditë pasi udhëhoqi një grusht shteti kundër presidentit Omar al-Bashir.

Ministri i Mbrojtjes, Auad Ibn Auf, caktoi në një dalje televizive edhe pasardhësin e ri, gjenerallejtnant Abdel Burhanin, duke thënë se po tërhiqej për të mirën e popullit sudanez.

Shkak për largimin e ministrit të Mbrojtjes u bënë protestat që pasuan instalimin e një këshilli ushtarak pas rrëzimit të al-Bashirit.

Qytetarët që fillimisht e mirëpritën me gëzim përmbysjen e ish-kryetarit të shtetit thanë se liderët e puçit ushtarak ishin shumë të afërt me presidentin famëkeq, ndaj kërkuan një qeveri më civile.

Këshilli i porsainstaluar më herët garantoi qytetarët se qëllimi i tyre nuk ishte ta qeverisnin përgjithmonë shtetin afrikanolindor, por vetëm për të paktën dy vitet e ardhshme.

Thirrjet për largimin e Omar al-Bashirit, i cili sundoi Sudanin për gati tre dekada, nisën dhjetorin e kaluar si pasojë e njoftimit se çmimet e karburantit dhe të bukës do të rriteshin, ndërsa javën e kaluar demonstratat qytetare rezultuan në vrasjen e të paktën 22 personave.

Pas grushti të shtetit, mbi 100 anëtarë të ish-partisë në pushtet u burgosën, së bashku me zëvendëspresidentin dhe pjesëtarë të shërbimeve inteligjente, ndërsa të burgosurit politikë janë liruar nga burgu.

Këshilli Tranzitor Ushtarak informoi një ditë më parë se pavarësisht apelit të Kombeve të Bashkuara, ish-presidenti al-Bashir do të vijojë të qëndrojë nën arrest por nuk pritet të dorëzohet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ku ai përballet me akuzat për gjenocid, krime ndaj njerëzimit, shfarosje, spastrim etnik dhe krime lufte të ndodhura 15 vite më parë.

 

Zjarr Tv Ad