Pas sulmeve kibernetike nga Irani që kanë goditur Shqipërinë në javët e fundit, NATO ka sjellë në Tiranë një ekip për të rritur sigurinë e sistemeve të brendshme.
Në një deklaratë për shtyp me zv/sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes nuk janë prekur nga sulmi për shkak se janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit dhe informacionit.
“Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën në krah të Shqipërisë përmes deklaratave të ndryshme dhe asistencë në fushën kibernetike. Pas 5 javësh punë intensive është bërë e mundur rikthimi i sistemeve në shërbim të qytetarëve të vendit tonë.
Këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi mbrojtur në mënyrë permanente por se duhet të jemi vigjilentë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike. Investime të shumta janë bërë këto vite por kjo është luftë e re pas agresionit rus në Ukrainë që ka prishur ekuilibrat dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë. Sa i përket sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes ato kanë qenë të paprekura nga sulmi sepse janë të shkëputura dhe nuk janë në rrjetin e përgjithshëm të komunikimit dhe informacionit. Megjithatë ne kemi rritur sistemin e mbrojtjes.
Dua të falenderoj aleancën për deklaratën e bërë në mbështetjen e vendit tonë dhe asistencën për të penguar sulmet kibernetike në të ardhmen. Vizita e ekipit të sotëm është dëshmi e solidaritetit dhe reagimit të menjëhershëm të aleancës ku ne bëjmë pjesë, NATO. Duke qenë një prej aleatëve të NATO-s na bën të jemi të sigurtë. Duhet vëmendje dhe më shumë vigjilencë nga të gjithë. Ne do bëjmë pjesën tonë të mbështetur nga aleatët tanë”, u shpreh Peleshi.