Sulmet kibernetike, Veliaj: E trishtë të shohësh opozitën që i gëzohet agresionit iranian. Me SHBA-në, Shqipëria s’do jetë kurrë vetëm

0
36
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për News24 tregoi detaje nga vizita e tij e fundit në SHBA dhe u ndal tek sulmet kibernetike duke pohuar se pas tyre fshihet Irani.

“Shqipëria ka miq të jashtëzakonshëm sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë një vizitë shumë e suksesshme edhe për të folur pak për situatën e fundit. Ka pasur interes jo vetëm për sulmet kibernetike. Roli super pozitiv dhe vendimi i Edi Ramës që Shqipëria të ishte një vend mikpritës për ata qytetarë që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane në Afganistan, kishte një mirënjohje për atë vendim të kryeministrit dhe të qeverisë për të mikpritur rolin e Shqipërisë, si vend Anëtar i Sigurimit dhe gjatë verës dhe si kryesues i Këshillit të Sigurimit me Ukrainën. Unë besoj se ia kemi dalë me sukses. Sigurisht, kjo aleancë vjen edhe me sfida. Qartazi, pas sulmit të fundit pa asnjë dyshim ka qenë Irani. Shqipëria është vërtet aleate besnike, meriton gjithashtu edhe mbështetje. Me miq të tillë Shqipëria s’do të jetë kurrë vetëm”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu keqardhje që opozita sipas tij u gëzua për sulmin kibernetik të regjimit represiv të Iranit ndaj sistemeve tona të shërbimeve.

“Ambasadorja e Amerikës dhe ambasadorja e Evropës flasin dhe mbrojnë Shqipërinë më shumë se sa disa nga partitë politike, që thuajse gëzohen që ndodhi ky sulm dhe thuajse gëzohen që qeveria apo bashkia ka bela të tilla për të menaxhuar. Kjo është diçka shumë e trishtë.

Apeli im sot është: Unë e kuptoj që ata kanë halle, njëri ka hall që s’shkon dot në Amerikë, njëri ka hall që është spiun, njëri ka hall që është paguar nga rusët. Unë ua kuptoj hallet, por hallet e tyre nuk duhet të kthehen në hallet e kombit tonë dhe kur kombi kur Shqipëria jonë është në rrezik, ta dojë më shumë ambasada e Amerikës dhe ambasada e Delegacionit Evropian sigurisht është kompliment, por është minimumi kur mendon që të njëjtën gjë duhet të bëjmë ne shqiptarët”, deklaroi Veliaj.

Veliaj: “Ne ndërtojmë shkolla e çerdhe, opozita i shtyn njerëzit të ‘shqyen’ për politikë”

Kryebashkiaku foli edhe për 12 shkollat e reja, të cilat u hapën këtë vit shkollor.

Në intervistën për News 24, Veliaj tha se nuk mund të politizohet gjithçka e mirë që bëhet në kryeqytet dhe njerëzit nuk mund të ‘shqyen’ për politikë.

“Pse duhet të protestojmë tre vjet për Astirin? Sot kemi një rrugë që ka zhbllokuar trafikun aty. Pse duhet të punojmë tre vjet, sherr e shamata, nëpër Prokurori e gjyqe, për rindërtimin e “Sami Frashërit”? Pse duhet të bëjmë të njëjtën gjë për rindërtimin në Kombinat? Pse duhet të bëjmë të njëjtën gjë për rindërtimin te “5 Maji”? Harxhojmë kohë shumë të çmuar! Kur dëgjoja dje eksponentë të opozitës, që thoshin ‘jo po shkollat me dy turne’, thashë ‘po si ka mundësi’. Në zonën e “Jeronim de Radës”, aty ku zonja e opozitës jepte intervistë, sapo kemi mbaruar edhe shkollën “Hasan Vogli”, edhe shkollën “Qazim Turdiu”. Shkollat e reja janë bërë tre herë më të mëdha, kurse në disa shkolla kemi një të tretën e kapacitetit, dhe në disa shkolla ekzistuese kemi dyfishin e kapacitetit, pra mjafton vetëm të ndahemi. Opozita duhet të thotë: me fëmijët nuk do bëjmë politikë, por do të ndihmojmë qeverinë dhe bashkinë që të ndahen të gjithë fëmijët në shkollat e reja. Në vend që të bëjnë këtë, i fryjnë histerisë që është pa kuptim, a thua se nuk jetojmë në një qytet, nuk marrim të njëjtin oksigjen, nuk ecim në të njëjtat rrugë. Ndaj, unë besoj që ka ardhur koha për një pajtim të madh kombëtar. Nuk duhet të vazhdojë kjo histori, kur vjen puna tek çerdhet, tek kopshtet, tek shkollat, tek hapësirat publike, tek autostradat, tek Unaza e Madhe që na lidh të gjithëve, ne nuk i pyesim fëmijët në shkollë je i majtë apo je i djathtë, apo si kanë votuar prindërit dhe gjyshërit”, shtoi Veliaj.

Zjarr Tv Ad