Shpërthimi me tritol i makinës së prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, i shtohet listës së njerëzve të drejtësisë, që sulmohen nga eksponentë të krimit të organizuar.
Kjo ngjarje i bashkohet atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, vrasjes së avokatit Ravik Gurra, djegies së makinës së gjyqtarit të Shkodrës Andi Ymeri, apo dhe kërcënimeve të prokurorit Anton Martini, e drejtorit të Burgjeve Agim Ismaili.
Për ekspertët e sigurisë, këto tregojnë fuqizim të krimit.
Arben Hajdarmataj: Krimet në Shqipëri kanë tendencë në rritje për shkak të rikthimit të elementëve kriminalë.Imagjino se çfarë rrezikshmërie kemi sot në rrugë dhe sa elementë kriminalë lëvizin me armë. Të gjithë këta elementë e favorizojnë krimin në maksimum, i japin krahë krimit.
Qyteti i Vlorës prej vitesh qëndron në qytetet më problematikë sa i përket kriminalitetit.
Një numër i madh automjetesh janë djegur prej vitit 2018 e deri më sot. Ndërsa një vit më parë u hodhën edhe akuza për zhdukjen ose vrasjen e mbi 20 të rinjve.
Ndërkaq për shpërthimin në automjetit të prokurorit Kuliçi dyshimet janë mbi dosjet që ai po hetonte, kryesisht ato të pronave.
Disa nga çështjet që ai ka trajtuar janë akuzat për tjetërsimin e pronave në Karaburun dhe Zvërnec, koncesioni i parkingjeve si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.