Tre shtetas të huaj, të dyshuar si rusë, kanë tentuar të infiltrojnë Uzinën Ushtarake në Gramsh, por janë përplasur me dy rojet.
Sipas informacioneve paraprake, rusët kanë tentuar të hyjnë në uzinë por janë përballur me dy ushtarët roje të Uzinës. Gjatë konfrontimit, rusët raportohet se i kanë sulmuar ushtarët shqiptarë me sprajt djegës në pjesën e fytyrës.
Dy ushtarët shqiptarë janë dërguar për trajtim më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Mësohet se dy prej rusëve janë arrestuar nga anti-terrori, ndërsa u është gjetur edhe një aparat fotografik dhe një pasaportë ruse, çka ngre dyshimet se mund të kenë qenë spiunë. Dyshohet se një prej rusëve ka arritur të arratiset.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe një grup prokurorësh.
Sipas banorëve të zonës shtetasit rusë kishin të paktën dy ditë që monitoronin Uzinën Ushtarake, me harta dhe pajisje të tjera teknologjike.
Reagimi i Ministrisë së Mbrotjes:
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Gjendja shëndetësore e dy ushtarakevë shqiptarë është e stabilizuar.