Sulmohet deputeti serb i Kuvendit të Kosovës

0
14
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës Sllobodan Petrovic është sulmuar sot në mes të Prishtinës. Sulmi ka ndodhur në afërsi të Kuvendit të Kosovës, në një restorant. Këtë e ka konfirmuar vetë Petrovic gjatë një konference për mediat. Sllobodan Petrovic është deputeti i vetëm serb që nuk është në kuadër të Listës Srpska. Ai është kryetar i SLS-së.

“Jam sulmuar fizikisht afër kësaj ndërtese, pasi edhe ju e dini se muajve të fundit personalisht ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë që unë e udhëheq është bërë një fushatë e egër”, ka thënë Petrovic.

Ai ka shtuar se personi i cili e sulmoi është Milan Kostic, këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“Në mëngjes isha mysafir në programin e mëngjesit në RTK, aty i kam paraqitur disa të dhëna me ish-ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallo. Pastaj kam hyrë në një restorant këtu afër Kuvendit për të pirë kafe me disa miq, dhe personi që më sulmoi ishte këshilltari i Rikallos, Milan Kostic, i cili për ne të gjithë nga komuniteti serb është i njohur për të keq, pasi i njëjti në mënyrë të pandërprerë disa vite me radhë në çdo mënyrë është munduar të më diskriditojë mua dhe partinë që unë e udhëheq, duke shkruar tekste të rreme, dhe kjo nuk i mjaftoi. Po ai ka kërcënuar edhe njerëzit sidomos në zgjedhjet e fundit, të cilët kanë votuar me partinë Liberale Serbe”, u shpreh Petrovic, duke shtuar se Kostic i kishte thënë se “do ta thyej kokën”, ndërsa mbante në dorë një shishe të qelqit.

Petrovic tha se ky sulm nuk është i rastit dhe se ata nuk mund ta frikësojnë. “Kjo nuk është e rastit, dhe ato mendime që i kam thënë edhe publikisht, mund të më sulmojnë edhe fizikisht edhe të më vrasin, por unë nuk frikësohem”, tha Petrovic, i cili tregoi se për këtë gjë ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.

Ai tha se ka lutur presidentin Vuçiç që të ndërpres çfarëdo deklarate për të dhe të verifikojë faktet, pasi po flet vetëm me burimet e shërbimeve që i ka.
“Me atë shpresë i kam argumentuar se të gjitha ato janë vetëm mashtrime. Pas asaj letre kryetari i Serbisë nuk është paraqitur apo dëgjuar më, por ka pasur veprime nga Lista Serbe, që janë udhëhequr nga drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Gjuric dhe të gjitha janë të pavërteta”, u shpreh Petroviq.

Ndërkohë në një reagim të Listës Serbe pretendohet se është pikërisht Milan Kostic ai që është sulmuar nga ana e Sllobodan Petroviqit. Kështu, siç thuhet ndër tjerash, Lista Serbe ka kërkuar që “policia dhe prokurorët të marrin të gjitha veprimet e nevojshme që Sllobodan Petrovic dhe Boban Stankovic të ndiqen dhe të dënohen, sepse kjo sjellje është absolutisht e papranueshme”.

 

Zjarr Tv Ad