Persona të paidentifikuar kanë sulmuar në Athinë një autobus policie në qendër të Omonias e me pas edhe rajoni e policisë. Nga sulmi kanë mbetur të plagosur 4 oficerë policie të cilët u dërguan në spital për të marrë ndihmën e parë.
Një grup rreth 50 personash, fillimisht i vunë zjarrin një autobuzi të policisë dhe më pas sulmuan rajonin e Omonias, pranë sheshit me të njëjtin emër, në qendër të kryeqytetit. Ata hodhën bomba molotov dhe sende të tjera të forta kundër godinës. Disa prej makinave të policisë, por edhe të civilëve që ishin parkuar aty pari, morën flakë dhe u dëmtuan seriozisht.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë përforcime të forcave të rendit si dhe mjete zjarrfikëse. Mirëpo, para se policia të ndërhynte, anarkistët, që i kishin fytyra të maskuara, u larguan për në sheshin Eksarkia, ku kanë bazën e tyre. Ata po kërkohen nga autoritetet.
Sindikata e punonjësve të policisë ka paralajmëruar një tubim proteste. Ata e konsiderojnë sulmin e mbrëmshëm si një akt vrastar kundër kolegëve të tyre. Në të njëjtën kohë, akuzojnë drejtuesit e ministrisë së rendit, për mungesat e mëdha në armatime dhe pajisje që kanë rajonet e policisë. Çështjet e sigurisë së qytetarëve kohët e fundit janë shndërruar në mollë sherri midis opozitës dhe qeverisë.