Një punë e re kërkimore tregon se një vullkan pranë Napolit në Itali, mund të jetë në fazat e para të një shpërthimi masiv, që mund të ndryshojë krejtësisht pamjen e zonës.
Në studimin e publikuar gjatë kësaj jave në Science Advances, shkencëtarët zbuluan se magma nën vullkanin Campi Flegrei mund të jetë duke u formuar dalëngadalë drejt një shpërthimi masiv, të madh aq sa për të shkaktuar dëme domethënëse për zonën.
Një zonë e madhe vullkanike në Perëndim të Napolit, që ka 24 kraterë vullkanikë, Campi Flegrei përgjatë 60 mijë viteve të fundit ka pasur disa shpërthime të vogla.
Grupi i ekspertëve ekzaminoi 23 prej tyre dhe krijoi një model kompjuterik për të simuluar këto shpërthime.
Pasi kryen analizat kimike të gurëve, mineraleve dhe copave të xhamit nga këto shpërthime, shkencëtarët dolën në përfundimin se magma e Campi Flegrei mund të jetë duke hyrë në një fazë të re grumbullimit, që zakonisht ndodh përpara një shpërthimi.
Qoftë një shpërthim i vogël, sipas ekspertëve do të vinte në rrezik 1.5 milion personat që jetojnë brenda kufijve të kompleksit vullkanik.
Megjithatë, lajmi i mirë është që nga të dhënat e shkencëtarëve rezulton se kjo nuk do të ndodhë tani për tani. Shpërthimet vullkanike të këtij lloji duan me mijëra vite që të zhvillohen dhe nuk ka asnjë mënyrë që vullkanologët të parashikojnë se kur mund të ndodhë.
Shpërthimi i fundit i Campi Flegrei ndodhi në vitin 1538, zgjati 8 ditë dhe ishte kaq i fuqishëm sa krijoi Monte Nuovo.