Janë mbi 30 pallate që ose janë ngritur pa leje, ose në shkelje të lejes së dhënë duke ndërtuar kate shtesë.
Mes tyre është edhe “Eyes of Tirana” i vendosur në perëndim të sheshit ‘Skënderbej’ në mes të hyrjeve të rrugëve të Durrësit dhe të Kavajës.
Nga këto pamje të filmuara me dron nga Euronews Albania shihet më qartë lartësia e kësaj kulle. Godina e Bankës së Shqipërisë dhe vetë sheshi ‘Skënderbej’ duken inferiorë krah saj.
Leja e ndërtimit për këtë kullë është 26 kate, por leja është shkelur me të paktën dy kate, aq sa është hapësira e konfiskuar nga shteti në kuadër të aksionit kundër ndërtimeve dhe shtesave pa leje.
Ndërkohë, brenda Unazës së Madhe të Tiranës, Euronews Albania ka identifikuar mbi 300 kantierë ndërtimi. Në disa prej tyre punimet janë në faza të avancuar, në të tjerë është bërë rrethimi dhe ka nisur hapja e themeleve. Euronews Albania