Tabaku: Bizneset në prag falimentimi nga rritja e taksave

0
136
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po e çon biznesin në prag të falimentimit për shkak të rritjes së taksave.

Në një dalje për mediat nga selia e PD, deputetja Jorida Tabaku thoë se është dyfishuar taksa mbi ndërtesën dhe se rritja e taksave po con drejt falimentimit të biznesit.

Deklarata e Jorida Tabakut

Që nga shtatori 2013 ka vetëm një lajm të sigurtë, taksat rriten çdo vit, por rritje pagash e pensionesh nuk ka. Për pesë vite me radhë Rama ka rritur çdo taksë të mundshme për qytetarët, bizneset, studentët e deri tek pensionistët.

Sa herë që Rama përbetohet se 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, aq herë ai gënjen dhe, po aq herë, ai u vjedh shqiptarëve para nga xhepat e tyre duke shpikur taksa dhe tarifa.

Barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën. Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku.

Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve.

Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë.

Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit.

Në 4 muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat. Për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën.

Qeveria e një grushti oligarkësh që, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, prodhon ligje me emrat e tyre, me rritjen e taksave, merr nga xhepat bizneseve dhe qytetarëve 2 miliardë Euro më shumë.

Brenda 5 viteve në pushtet, Edi Rama, që premtoi uljen e taksave për 97 përqind të shqiptarëve,

· Rriti taksën e qarkullimit me 150%,

· Rriti tarifat e arsimit të lartë me 30%,

· Rriti energjinë elektrike me 24% për treçerekun e rriti familjeve

· Rriti tatimin mbi të ardhurat personale me 23%,

· Rriti tatimin mbi fitimin nga 10% e rriti në 15%.

Qeveria socialiste dhe kryeministri Rama e kanë shndërruar mekanizmin e politikës fiskale në një armë me të cilën godasin pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe amnistojnë dhe u falin taksa oligarkëve pranë tyre. Kjo qeveri ka përkëdhelur dhe u ka falur taksat atyre që sot ndërtojnë kullat e betonit në qendër të qyteteve, që betonojnë bregdetin tonë ndërsa godet me kamzhikun e taksave xhepat e tregtarëve dhe biznesit të ndershëm.

Partia Demokratike deri në minutën e fundit u përpoq të jepte zgjidhje dhe propozime konstruktive, ku megjithëse nuk ishim dakord me vlerën e lartë, i kërkuam qeverisë të fillojë më vonë zbatimin, të krijojë databazën, të ketë një periudhë lehtësimi me taksë të reduktuar, por të gjitha u refuzuan.

Sot, qeveria dhe oligarkët kanë krijuar aleancën që punon vetëm në interesin personal. Për to çdo frymë e gjallë e këtij vendi do të taksohet rëndë si e si për të mbushur arkat e tyre personale me paratë e djersës dhe mundit të qytetarëve.

Partia Demokratike fton biznesin të denoncojë këtë taksë abuzive, e cila sot po faturohet në mënyrë afrofe, pa një regjistër pronash.

Në qendër të platformës tonë është taksa e sheshtë që do t’i japë frymë ekonomisë e do të ndihmojë biznesin e ndershëm të dalë nga asfiksia dhe të rritet pa gjobëvënien e shtetit. Ne qëndrojmë fort për uljen e taksave për çdo qytetar dhe çdo biznes, pasi besojmë se çdo lek më shumë në xhepin e qytetarëve është më i dobishëm sesa në xhepat e qeverisë.

Zjarr Tv Ad